I zunë pritë dhe e thirrën në emër, si u ekzekutua kushëriri i Haklajve

Kushëriri i Fatmir Haklajt, Guxim Gjyriqi, 47 vjeç, u ekzekutua me breshëri “Kallashnikovi” në Tropojë. Autorët që mendohet se kishin organizuar atentatin ndaj tij, janë larguar në rrugën mes fshatrave të Tropojës dhe Hasit, ku dhe kanë djegur makinën pa targa, në fshatin Golaj.

Burime nga grupi hetimor thanë dje se viktimës i kishin zënë pritë dhe e kanë qëlluar pasi i kanë thirrur në emër. Ai u ekzekutua menjëherë pasi mbylli lokalin, i cili ndodhet afër karburantit të tij në Bajram Curri. Menjëherë pas ngjarjes, qyteti është blinduar nga forcat e rendit dhe FNSH për të gjetur autorët e krimit, shkaqet e të cilit janë ende të paqarta.

Guxim Gjyriqi ka lidhje dhe me Fatmir Haklajn, ish-shef komisariati në Tropojë dhe një figurë e njohur në vitet 97, por sidomos për vrasjen e ish-deputetit të PD-së, Azem Hajdari, më 12 shtator 1998. Gjyriqi është kushëri i Fatmir Haklaj. Ai ishte babai i tre fëmijëve dhe nuk njihej si person problematik në zonë. Policia ka marrë në pyetje disa persona që mund të kenë dijeni dhe informacione të vlefshme, përfshirë edhe familjarë.

HETIMI

Burime nga grupi hetimor thanë dje se ende nuk dihet nëse vrasja e Guximtar Gjyriqit lidhet me ndonjë konflikt të çastit apo hakmarrje në lidhje me familjen Haklaj, edhe pse ata nuk kanë qenë të përfshirë në ngjarjen, për të cilën janë akuzuar ndër vite familja Haklaj.

Familja Gjyriqi ishte e vetmja që nuk ishte zhvendosur nga Tropoja, pasi nuk kishin pasur lidhje me atë se çfarë ndodhi me Haklajt dhe ushtronin aktivitetet e tyre private atje. Fatmir Haklaj dha dorëheqje nga strukturat e Policisë së Shtetit, menjëherë pasi iu vra vëllai, Shkëlqim Haklaj. Ndërkohë që u vra më 4 nëntor të vitit 1999, në një pritë në fshatin Bujan, vetëm 50 metra larg shtëpisë së mikut të tij, Jaho Salihi.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e vrasjes së Guxim Gjyriqit, që e konsideron të paqartë, identifikimin dhe kapjen e autorit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, të Drejtorisë së Policisë së Kukësit dhe dy grupe të FNSH-së së Shkodrës, vazhdojnë kontrollet dhe krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit. Policia po bën krehjen e gjithë zonës për të zbuluar, identifikuar dhe kapur autorët, por ndërkohë nga automjeti mund të gjendet ndonjë provë. Fshati Golaj gjendet 55 kilometër larg qytetit ku ndodhi ngjarja.

SHKARKO APP