“I zura pritë që ta trembja”. Plagosja në Lezhë, zbardhet dëshmia e autorit në gjyq
Gjykata e Lezhës ka lënë në burg Gjergj Gjinin, autorin e plagosjes së 43-vjeçarit Hilë Gjini.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së martës në Balldre të Lezhës.
Siç bëhet e ditur në seancën e zhvilluar sot me dyer të mbyllura, 69-vjeçari mësohet të ketë thënë se ka pasur konflikte të vazhdueshme me Hil Gjinin, por i kishte zënë pritë për ta trembur.
Autori tha se nuk ka qenë qëllimi i tij që të qëllonte me armë ndaj të lënduarit.
Si gruaja e shpëtoi burrin duke u përleshur me autorin
Bashkëshortja e 43-vjeçarit mësohet se ka neutralizuar bashkëfshatarin e tyre Gjergj Gjini që të vijonte me të shtënat e armës.
Sapo 69-vjeçari i ka zënë pritë mjetit, ajo ka zbritur në tokë nga dera e pasme e mjetit dhe është përleshur me autorin. Bashkëshortja e 43-vjeçarit fillimisht ka mundur t’i ulë dorën e me pas t’i rrëmbejë armën të moshuarit Gjergj Gjini, i cili në ato momente po qëllonte drejt bashkëshortit të saj.
Shenjat e lëna nga përleshja ende evidentohen në duart e bashkëshortes së Gjinit, e cila është kujdesur edhe për fëmijët e mitur që ndodheshin në makinë. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, i plagosuri që ndodhet në Spitalin Rajonal të Lezhës ka mohuar të ketë pasur konflikte me autorin e ngjarjes, pavarësisht se ai pretendon se i ka helmuar delet 15 vite më parë.
Kjo ngjarje mund të evitohej, pasi sipas informacioneve, Policia ka qenë disa herë te banesa e tij për konflikte të ndryshme ku edhe mund të kishte evidentuar armën zjarrit të cilën e kishte pa leje.
Autori i ngjarjes vijon të qëndrojë në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë në Lezhë në pritje për t’u njohur me masën e sigurisë, e cila nuk është vendosur ende se kur do të jepet.Panorama