Ia “prishi qejfin” me vendimin për dosjen e CEZ-it, Balla kërcënon gjyqtarin Sallaku: Je anëtar i KÇK-së
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla në një deklaratë për mediat theksoi se çdo person që ka kryer veprimtari kriminale nuk do ti shpëtojë ligjit.
Më tej Balla paralajmëroi edhe gjyqtarin Lazer Sallaku, duke e cilësuar anëtar të “KÇK”, se nuk mund të mbyllë dosjen e OSSH, pasi do ta ndjekë vetë personalisht. Duke folur për operacionin “Forca e Ligjit”, që po sekuestron pasuritë e personave të njohur të botës së krimit, Balla u ndal dhe te dosja e OSSH, duke e cilësuar si një ndër dosjet më korruptive në Shqipëri, ku sipas tij, gjyqtari Sallaku po tenton ta mbyllë.
“I them Lazer Sallakut të heq dorë nga historia e vonesës së zbardhjes së vendimit për dosjen OSSH. Sot ka mbaruar afati që ky gjyqtar duhet të kishte shpallur vendimin, një vendim absurd. I them publikisht, këtij anëtari të KÇK në gjyqësor, se dosja OSSH, si dhe dosje të tjera korruptive, nuk mund të mbyllen me vendime të turpshme të këtyre gjyqtarëve. Një drejtësi e re po lind mbi rrënojat e drejtësisë së vjetër ku Sali Berisha me shokë ishin ngjitur si mirimangë. Pasuritë mund të jenë në vila në makina apo llogari bankare. Unë personalisht do e ndjek se nëse ka një dosje në Shqipëri të qartë dhe e zbardhur tërësisht se si familjarë të kryeministrit të asaj kohe merrnin kontakte me lobistë, sekserë në shqip për privatizime të sektoreve strategjike e që ne e kemi dokumentuar në raportin e komisionit hetimor skemën korruptive të jeni të sigurtë që këto cështje s’kanë për tu mbyllur. Kush ka kryer veprimtari krimninale a korrupsion s’ka për ti shpëtuar”, tha Balla.
Sa i përket çështjes së integrimit europian Balla u shpreh kritik ndaj BE-së.
“Integrimi ynë lidhet edhe me axhendën e Kosovës, një qasje për të plotësuar gjithcka që duhet për të ecur në pozicionin e vendit kandidat për anëtarësim. Nuk dua ta fsheh kritikën nga ana e BE që lidhen me një moszbatim për heqjene e vizave të Kosovës. Edhe në PE kemi theksuar nevojën që BE të garantojë një plan, por është e pakuptimtë që në 2020 të ketë viza për Kosovën”, tha Balla.