Ibrahimi: Me 21 maj betohen tre prokurorë të rinj të SPAK-ut te Presidenti
Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, deklaroi ekskluzivisht në një intervistë për Ora News se me 21 maj do të betohen tre prokurorë të rinj të SPAK te Presidenti, duke e çuar kështu në 15 numrin e prokurorëve.
Ibrahimi: Lajmi i mirë që mund ta ndaj për herë të parë me ju sot është fakti që me 21 maj do të kemi ceremoninë e betimit të tre prokurorëve të rinj te Presidenti. Çështja e ngarkesës së punës në SPAK dhe plotësimit të organikës do të vijë duke u lehtësuar, do të kemi 12 nga 15 prokurorë. Intervista me kandidatët do të zhvillohet me 18 maj. Tre më të mirët do të çohen për dekretim te Presidenti.
Krahas plotësimit të organikës, problem për këtë strukturë mbeten ende çështja e pagës dhe plotësimi me strukturë policore, BKH-në.
Ibrahimi: Mbetet ende problemi i pagave të SPAK, prokurorët e SPAK paguhen njësoj si prokurorët e tjerë ndërkohë që ne kemi lënë mbi shpatullat e tyre një përgjegjësi shumë herë më të madhe. Është bërë lëvizja në këtë drejtim, amandamenti është miratuar por nuk është dekretuar nga presidenti jo se është kundër rritjes së pagave për SPAK por për formulën e betimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kuvendi ende nuk ka ndërmarrë hapat për ta kapërcyer veton e presidentit ose për ta reflektuar pjesërisht. Jemi ende larg rezultatit të rritjes së pagave të SPAK. Së treti ende nuk kemi arritur ta plotësojmë SPAK me strukturën policore, pra Byronë Kombëtare të Hetimit. Janë tre lëvizje të rëndësishme që ende si kemi konsumuar. Para se ti kërkojmë SPAK duhet të bëjmë akoma diçka vetë.
BKH do të jetë një strukturë policore që nuk do të gjenerojë indicie, por do të hetojë indiciet e prokurorëve.
Ibrahimi: Të kesh një të kaluar të gjatë në policinë e shtetit kjo lë gjurmë në mënyrën e të menduarit, të vepruarit, ndërveprimit me kolegët dhe prokurorët. Rreziku që BKH të kthehet në një lloj përndjekësi pa qëllime të mirëfillta të procedimit penal nuk ekziston, është një strukturë në varësi të prokurorëve. Nuk ka rrezik të dalë nga shinat. BKH nuk do të jetë strukturë që do të gjenerojë indicie, do të hetojë këto indicie.
I pyetur nëse do të ishte më mirë një prokuror si drejtues i BKH ai tha:
Ibrahimi: Duhet të kishte më shumë interes nga ana e prokurorëve, por fakti është që vetëm një prokuror kandidoi dhe ai nuk është përzgjedhur në grupin e katër kandidatëve finalistë. Por në thelb BKH do të bëjë një punë policore.