Ibsen Elezi tregon arsyen përse u përjashtua nga gara për kryetar në PD
Ish-kreu i PD-së në Kukës, Ibsen Elezi, ishte i tretë që zyrtarizoi emrin e tij si kandidat për kryetar përballë Lulzim Bashës në Partinë Demokratike.
Por mbrëmjen e sotme, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Elezi tregoi arsyen përse u përjashtua nga kjo garë. Siç u shpreh Elezi arsyeja që i kanë dhënë në parti, është “se ka mbajtur qëndrim të vazhdueshëm kundër PD”.
“Me sa di unë kryesia e PDSH e ka bërë përjashtimin. Kur jepet një argument ka dhe një shpjegim, por thonë që kam mbajtur qëndrim të vazhdueshëm kundër PD. Unë isha duke hyrë në një garë të pabarabartë, edhe ato që po hyjnë janë në një garë të pabarabartë. Unë e kam ditur që në fillim që do më hiqnin dhe ua kam thënë”, u shpreh Elezi.
Elezi tha se zgjedhjet për Lulzim Bashën nuk do të jenë edhe aq të thjeshta sa është krijuar perceptimi, sepse ai duhet të kalojë kuorumin.
Pjesë nga biseda:
Ylli Rakipi: Përse nuk e lini Bashën vetëm në farsën e tij? Përse nuk e lini rehat se ai do të zgjidhet gjithsesi?
Ibsen Elezi: Duhet të marrim pjesë, sepse duhet të ketë njerëz që të garantojnë që procesi nuk manipulohet si në 2017. Basha duhet të plotësojë kuorumin dhe 50% plus një. Numri i anëtarëve është një regjistër Kombëtar. PD ka rreth 90 e ca mijë anëtarë. Nuk janë fiks regjistrat sepse anëtarësia lëvizin. Regjistri themelor është detyrim statuor për të ekzistuar.
Arjan Curri: Fakti që kandidatët nuk kanë akses, tregon se ju nuk e dini se kush do t’ju votojë.
Ibsen Elezi: Gara duhet të realizohet korrekte, duhet të tregojë a do të jetë kuorumi i realizuar. Në 2017 nuk u realizua kuorumi.