Identifikimi biometrik në limite, përgjigjet vetëm kompania Smartmatic me një ofertë 16 mln euro pa TVSH
Një kompani e vetme i ka kthyer përgjigje komisionit qendror të zgjedhjeve për identifikimin biometrik në zgjedhjet e 25 prillit edhe pse në garë janë thirrur 6 subjekte. Për pajisjet e teknologjisë për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikimin e tyre paszgjedhor, Smartmatic është ofruar me një fond rreth 16 mln euro pa TVSH. Fakti që në garë është vetëm një ofrues nuk përbën problem ligjor për nënkomisioneren e KQZ, Lealba Pelinku.
Pelinku: Ligji për prokurimin publik e njeh si të suksesshme procedurën dhe me një ofertues të vetëm. Kështu që ky nuk përbën problem. Komisioni i vlerësimit të ofertave do të shqyrtojë kualifikimin e kompanisë. Pra kjo kompani përmbush apo jo kriteret e vendosura, besoj javës që vjen duhet të kemi fituesen
Kompania smartmatic ka eksperiencë në disa shtete për sa i përket sistemeve të votimeve elektronike. Madje në 2019, i shërbeu edhe PS për pilotimin e votimit elektronik të anëtareve të rinj të asamblesë në njësinë 8 në Tiranë. Por ky fakt sipas Pelinkut nuk duhet paragjykuar nga politika.
Pelinku:Është një kompani private dhe nuk ka pse të paragjykohet lidhur me këtë
Jashtë kamerave nën komisioneria shprehet se nëse kompania smartmatic nuk i ka plotësuar kriteret ligjore, atëherë rrezikohet seriozisht procesi i identifikimit biometrik në 25 prill, pasi nuk ka kohë për t’a nisur procesin nga fillimi.
Ndërsa për pilotimin e votimit dhe numërimit elektronik për 20% të zgjedhësve në 25 prill do të hapet një tjetër procedurë tenderimi.
Pelinku: E sigurt është që është procedurë më vete. Pra do të jetë një projekt i cili nuk afekton si në të mirë dhe në të keqe projektin e identifikimit elektronik
KQZ i ka kërkuar partive politike që të sjellin propozimet e tyre për zonat se ku do të caktohet pilotimi elektroni, kërkesë që ende nuk ka marrë një përgjigje zyrtare.