Identifikohet dhe shpallet në kërkim vrasësi i Bujar Çelës

Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një person si autorin e vrasjes se vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela, tre javë më parë tek rrethrrotullimi i Elbasanit.

Dyshohet se personi në fjalë është ekzekutori ndërkohë dyshohet që porositësi është Erion Alibeaj i arrestuar më 18 shtator të këtij viti, pasi akuzohet si porositësi i dy vrasjeve të ndodhura më datë 20 korrik dhe 29 korrik në qytetin e Elbasanit.

Megjithatë kjo mbetet ende në fazën e dyshime dhe nuk është faktuar nga ana e hetuesve. Më herët janë shoqëruar disa persona, por asnjëri prej tyre nuk ka rezultuar si i përfshirë në çështje.

Si u arrestua Alibej?

Aktualisht, ndaj Alibejt është dhënë masa e sigurisë arrest me burg për vrasjen e ndodhur në lagjen “28 Nëntori”, ku u vra me armë zjarri shtetasi Emiljano Ramazani dhe vrasjen e ndodhur në afërsi të varrezave të qytetit, ku mbeti i vrarë me armë të ftohtë shtetasi Regis Runaj.

Erion Alibej është vëllai i Endrit Alibej 34 vjeç, i cili së bashku me xhaxhanë dhe një shtetas  turk, u ekzekutuan në të njëjtin vend ku u ekzekutua 61 vjeçari.

61-vjeçari Bujar Çela, u vra më 17 shtator dhe dyshohet se shkak janë bërë konfliktet e të vëllait të tij Talo Çela, i cili është personi më i kërkuar në Shqipëri dhe për “kokën” e tij policia ka vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë eurosh për këdo që jep informacion mbi vendndodhjen.

Talo akuzohet për disa ngjarje kriminale vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës, si dhe grabitjen e miliona eurove nga Rinasi, ku mbeti i vrarë Admir Murataj.

Burimi: Ora News

SHKARKO APP