Identifikohet nxënësi që hodhi sërish gaz lotsjellës në gjimnazin e Fierit! 10 ditë më parë tha se e bëri për shaka
Report Tv raporton detaje të reja lidhur me helmimin e përsëritur të ndodhur në shkollën Janaq Kilica në Fier.
Mësohet se nxënësi i identifikuar si A.D i cili ka hedhur sprajin piper në ambientet e shkollës është identifikuar herën e parë, dhe pasi është pyetur ka deklaruar se e ka bërë për shaka.
Ai ka përsëritur sot të njëjtën gjë duke shkaktuar një helmim në masë në radhën e nxënësve, ndërkohë që për të mësuar shkaqet e veprimit të tij, po heton Prokuroria e Fierit.
Një pamje kaotike, me autoambulanca dhe makina private njëra pas tjetrës duke transportuar nxënës dhe mësues me probleme shëndetësore, marrje mendsh e djegieve të syve, por që fatmirësisht gjendja e tyre paraqitet jashtë rrezikut për jetën. Spitali është mbushur me nxënës të shumtë por edhe me familjarë të tyre, duke krijuar një situatë kaotike.
Një situatë e ngjashme ndodhi 10 ditë më parë në të njëjtën shkollë, ku u tha paraprakisht se helmimi kishte ardhur nga një eksperiment kimie. Por edhe në këtë rast dyshohet që shkaktar të ketë qenë i njëjti nxënës i cili dyshohet të ketë hedhur “peper spraj”. Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet.