“Idromeno Indipendent Film Festival” çel siparin në Kinema Republika, Shkodër me 58 filma

“Në Kinema Republika, ka çelur siparin e tij edicioni i tretë i festivalit të filmit “Idromeno Indipendent Film Festival”. 58 filma nga autorë vendas dhe të huaj, do të shfaqen për të apasionuarit mbas kinematografisë në Shkodër.” Njoftimin e ka bërë prezent përmes postimeve në rrjetet sociale, kryebashkiaku, Benet Beci, i cili sjell në vëmëndjen e shkodranëve dhe Shkodrës rikthimin në origjinën të kësaj embleme të kulturës dhe traditës që shkodra ka patur.

Festivali “Idromeno Independent Film Festival 2024” është një ngjarje e rëndësishme kulturore që zhvillohet në Shkodër nga 5 deri më 11 tetor. Ky festival, që ndodhet në edicionin e tij të tretë, ka për qëllim të promovojë kinemanë e pavarur nga e gjithë bota, duke u fokusuar në zhanre të ndryshme të filmit, përfshirë filma artistikë, dokumentarë, filma eksperimentalë dhe animacione.

Në këtë edicion janë përzgjedhur 58 filma nga 3,000 aplikime të dërguara nga kontinentet kryesore, duke sjellë një përzgjedhje ndërkombëtare dhe të larmishme. Festivali përfshin shfaqje filmash, diskutime dhe panele me regjisorë nga e gjithë bota, si dhe aktivitete të veçanta që lidhin filmin me artet e tjera.

Ky festival organizohet në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës dhe ka hyrje të lirë për publikun, duke ofruar gjithashtu një platformë për talentet e rinj në industrinë e filmit.

“Idromeno Indipendent Film Festival” vjen në edicionin e tij të tretë jo vetëm të afrojë publikun me ekranin e madh, të njihet me traditat kinematografike të ndryshme, por edhe të gjallërojë jetën kulturore artistike të kryeqendrës së Veriut të Shqipërisë.

Albert Vataj

 

SHKARKO APP