Igli Hasani zyrtarisht ministër i Jashtëm, Xhaçka i dorëzon detyrën në prani të Ballukut. Ka një mesazh edhe për Ramën

Olta Xhaçka pas shkarkimit në Kuvend si ministre e Europës dhe Punëve të Jashtme, ka pritur këtë të martë Igli Hasanin për ti dorëzuar stafetën. Përmes një postimi në Facebook, Xhaçka ka bërë edhe një bilanc të punës së saj tre vite në këtë ministri. Po ashtu ka edhe një mesazh falënderues për kryeministrin Edi Rama. ”Ndihem vërtet me fat që Kryeministri Edi Rama më besoi drejtimin e politikës së jashtme të Shqipërisë në një moment të jashtëzakonshëm”,-shkruan Xhaçka.

Igli Hasani pas betimit sot para Presidentit Begaj, u prit në ambientet e MEPJ nga paraardhësja, Olta Xhaçka dhe stafi diplomatik, ku u mbajt edhe ceremonia zyrtare e dorëzimit të detyrës, në prani edhe të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, u shpreh se prioritet kryesor i MEPJ do të vijojë të jetë integrimi evropian, teksa theksoi se kryesimi shqiptar i OSBE-së dhe angazhimi në Këshillin e Sigurimit e kanë rritur cilësisht rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Postimi i plotë

Diçka më pak se 3 vjet më parë, mu besua drejtimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Kanë qenë muaj intensivë, me një axhendë të ngjeshur, plot ngjarje e aktivitete e udhëtime që rrallëherë më kanë lënë kohë të ndalem e të mendoj për gjithë çka ndodhur e gjithë çfarë kemi bërë bashkë me bashkëpunëtorët e mi të Kabinetit e trupës së Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë. Por sot, kur mandati im është mbyllur, teksa bisedoja me pasuesin tim, mikun e mirë Igli Hasani, pata mundësinë të ndalem e të reflektoj një çast mbi këto muaj pune që nga ana profesionale kanë qenë padyshim ndër më të bukurit e jetës time.

Ndihem vërtet me fat që Kryeministri Edi Rama më besoi drejtimin e politikës së jashtme të Shqipërisë në një moment të jashtëzakonshëm. Ndihem krenare, që bashkë me kolegë e bashkëpunëtorë, e me mbështetjen e pakursyer të Kryeministrit, Qeverisë e Kuvendit, ia dolëm të përballojmë me shume sukses sfida të shumta e shpesh të paprecedenta si mandati në Këshillin e Sigurimit të OKB, angazhimi aktiv e dinjitoz në mbështetje të Ukrainës e ligjit ndërkombëtar, evakuimi i mijëra qytetarëve afganë që u rrezikohej jeta nga regjimi taleban, angazhimi konstruktiv e shumë i vlerësuar në rajon, zhvillimi i marrëdhënieve diplomatike me partneret tradicionalë apo me miq e partnerë me të cilet pak na kishte lidhur puna e aktiviteti në të shkuarën pa lënë në asnjë moment jashtë vëmendjes punën për fuqizimin e shërbimeve e përfitimeve të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit apo fuqizimin e pasaportës shqiptare në botë.

Jam krenare për avancimin e procesit të integrimit në BE dhe afrimin e endrrës së shqiptarëve për t’u rikthyer në Evropë e jam po ashtu vençanërisht krenare për angazhimin e palodhur në mbështetje të Kosovës në çdo takim, në çdo forum, në çdo organizatë. Sot Shqipëria gëzon një reputacion të admirueshëm në arenën ndërkombëtare, si një vend serioz me një politikë të jashtme konstruktive, parimore e të konsoliduar. Sot Shqipëria gëzon respektin e miqve, partnerëve e aleatëve dhe vlerësohet prej tyre si një vend me kontribut real për paqen, sigurinë e bashkëpunimin në rajon e më gjerë.

Sigurisht që e mira s’ka fund e ka punë që mund të ishin bërë më mirë. Por jam po ashtu e sigurt që me Igli Hasanin në drejtimin e MEPJ ajo axhendë punësh, projektesh e objektivash për të cilat punuam kaq shumë, do të vazhdojë e intensifikohet duke çuar akoma më përpara emrin e vendit tonë.

E falenderoj nga zemra Kryemimistrin Edi Rama për besimin për t’i shërbyer vendit në këtë detyrë fisnike. Mirënjohje për mbështetjen, punën e palodhur e kontributin e të gjithë bashkëpunëtorëve në Kryeministri, Kuvend, Ministri, e Përfaqësi kudo. Mirënjohje aleatëve e partnerëve të Shqipërisë me të cilët kemi punuar ngushtësisht për të avancuar të gjitha proceset integruese e modernizuese të vendit. Dhe së fundmi, i uroj Iglit çdo sukses e çdo të mirë në këtë mision të jashtëzakonshëm që i është besuar.

 

SHKARKO APP