“Ik në Malësi”, hakmarrja e Rexhës për të vëllanë. Autori me një dorë, e goditi me një plumb në kokë

Pa u shuar dhimbja e para dy muajve, familja Gosa ka hapur dyert e mortit. Hakmarrja përgjaku Kavajën dhe hasmi u vra në sytë e të atit të moshuar, në një kafene. 31-vjeçari Habib Rexha qëlloi Arjan Gosën me plumb në kokë, teksa ky i fundit po pinte kafe me të atin në një lokal pranë shkollës 9-vjeçare “Rilindja”, në Kavajë.

Më pas ai u largua nga lokali në këmbë, ndërsa një automjet e priste pak më tutje vendit të ngjarjes. Policia e Shtetit njofton se ka vënë 10 mijë euro shpërblim për këdo që ofron informacione të vlefshme në rrugë operative për kapjen e Habib Rexhës.

Motivi i ekzekutimit është ajo e hakmarrjes nga ana e fisit Rexha për vrasjen e dyfishtë të fund marsit në Kavajë, ku mbeti i vrarë vëllai i viktimës dhe Altin Rexha. Shkak për sherrin me dy viktima në muajin mars është bërë ofendimi që Edmond Gosa i bëri Sali Rexhës për origjinën, duke i thënë se nuk meritonte të jetonte në zonë dhe të kthehej në Kukës andej nga kishte ardhur. Ngjarja ndodhi në zonën e kryqëzimit të valutave në Kavajë, ku pas konfliktit Gosa qëlloi me thikë Rexhën dhe ky i fundit u kundërpërgjigj me armë, por që të dy mbetën të vdekur.

Asokohe, Armand Gosa goditi me thikë Altin Rexhën, ndërsa ky i fundit e qëlloi me armë. Dhe si pasojë e plagëve të rënda që i shkaktuan njëri-tjetrit, humbën jetën të dy. I përgatitur për vrasjen, Habib Rexha është filmuar duke vrapuar me pistoletë në dorë pas krimit. Kamerat e sigurisë së bizneseve të ndryshme në qytet e kanë filmuar teksa autori u largua në këmbë pasi qëlloi me një plumb në kokë shënjestrën.

Arjan Gosa u kthye nga Italia kur i vdiq vëllai dhe nuk u largua më nga Shqipëria deri ditën kur i zunë pritë dhe e vranë. Me vdekjen e tij tragjedia për familjen Gosa në Kavajë bëhet edhe më e rëndë, por a do të ketë më viktima?

SHKARKO APP