Ikën i ftohti siberian, si pritet të jetë moti gjatë kësaj jave
Moti siberian është zhvendosur drejt Evropës Lindore për t’ia lënë vendin një mase ajrore shumë më të ngrohtë me origjinë perëndimore dhe veriperëndimore. Nga mesi i javës deri të dielën, pritet që të ketë rritje temperaturash në të gjithë vendin. Temperaturat maksimale do të shkojnë deri në 19 gradë.
“Temperaturat e ajrit të jenë krejt ndryshe krahasuar me javën që lamë pas. Minimalet, deri në mesin e javës, mbeten në vlera negative, -3 deri në -4 në zonat malore. Më ftohtë do të jetë kryesisht në qarkun e Korçës. Sa i përket bregdetit dhe zonave të ulëta do të jenë në vlera pozitive nga dy deri në 6 gradë.
Ndërsa maksimalja ngjiten deri në 15 gradë. Duke filluar nga mesi i javës, nga e mërkura deri të dielën do të ketë rritje të ndjeshme të temperaturave në të gjithë territorin shqiptar. Mbeten në zero apo 1 gradë zonat malore dhe maksimalet ngjiten në 12 gradë në Kukës dhe Has.
Përsa i përket bregdetit dhe zonave të ulëta maksimalja do të ngjitet në 18 apo 19 gradë. moti do të jetë i qëndrueshëm me kthjellime dhe diell në pjesën më të madhe të Shqipërisë. Vranësirat do të jenë kalimtare kryesisht në orët e pasdites dhe në zonat malore”, tha meteorologia Lajda Porja.