Ikën Ibrahimaj, teknicieni Ervin Mete do të jetë ministri i ri i Financave

Qeveria ”Rama 3”, do të ketë kabinet të ri. Në krye të Financave është propozuar nga kreu i qeverisë, Ervin Mete. Ai do të marrë drejtimin e ministrisë, duke zëvendësuar Delina Ibrahimaj. Kjo e fundit do të jetë në krye të ministrisë për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, post që mbahej nga Edona Bilali.

Kush është Ervin Mete?

Ervin Mete është Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nga maji 2020. Më herët ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bordit të Autoritetit, prej shtatorit 2019.

Mete ka shërbyer si Zëvendësministër i Financave dhe Zëvendësministër i Ekonomisë (2013-2017), përgjegjës për politikën fiskale dhe zhvillimin ekonomik. Gjatë kësaj periudhe ka qenë thelbësisht i përfshirë në reformën e menaxhimit të financave publike dhe modernizimin e kuadrit ligjor fiskal dhe financiar, përfshirë ligjin “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” dhe ndryshimet në ligjin “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”.

Ervin Mete ka drejtuar grupin e nivelit të lartë mes Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për reduktimin e kredive të këqija në sistemin bankar dhe ka mbajtur pozicionin e koordinatorit kombëtar për Programin e Reformave Ekonomike me BE. Mete është lektor i së drejtës fiskale pranë Shkollës së Magjistraturës. Ai ka shërbyer si ekspert dhe konsulent i Bankës Botërore (2011), Komisionit Evropian (2008) dhe PNUD-it (2007).

Mete mban gradën Master nga Universiteti i Harvardit, SHBA (LL.M. 2010) dhe nga Shkolla Ekonomike e Londrës – LSE (LL.M. 2009), ku është specializuar në të drejtë fiskale dhe të drejtë korporatash. Është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, me rezultate të shkëlqyera (2006). Mete zotëron gjuhën angleze dhe atë italiane.

SHKARKO APP