Ikin nga zyrat .Marrin plaçkat!

 

 

Qeveria miratoi dje ligjin për dekriminalizimin e administratës shtetërore dhe të politikës në përgjithsi. Drafti parashikon 79 vepra penale që nisin me krimet kundër njerëzimit, vrasjet dhe përfundojnë me shpërdorimin e detyrës nga zyrtarët e administratës. Ligji ndalon kandidimin, zgjedhjen dhe emërimin e çdo personi që është dënuar me vendim të formës së prerë për 1 nga 79 veprat penale. Për deputetët, ministrat, kryetarët e Bashkive, anëtarët e këshillave bashkiakë dhe personat e tjerë që zgjidhen me votë, ligji ndalon kandidimin e tyre edhe në rast se janë dënuar vetëm me një vendim të shkallës së parë të gjykatës. Të akuzuarit për vepra të rënda penale nuk kanë të drejtë të zgjidhen në poste publike. Ligji parashikon gjithashtu se personat që kanë kryer vepra penale të korrupsionit, apo ato që cënojnë zgjedhjet, të mos kenë të drejtë zgjedhje deri në 20 vjet pas dënimit. Ndërsa për veprat e tjera më pak të rënda, afati i parashikuar është 10 vjet. Në këtë mënyrë, asnjë individ, që në të kaluarën e tij është dënuar në gjykatat vendase apo të huaja, nuk do të ketë mundësi të zgjidhet apo të emërohet në ndonjë funksion publik dhe as të fshehë të kaluarën e tij.

Nisma e mazhorancës pritet të votohet shumë shpejt në Kuvend. Partia Demokratike ka propozuar një variant të sajin për dekriminalizimin me masa më të ashpra, duke penalizuar zyrtarët për të cilët ka dyshime dhe jo vendime gjykate. Gjithashtu, një tjetër masë ekstreme e PD-së është edhe ajo për testin e drogës ndaj gjithë deputetëve dhe ministrave. Edhe pse nisma e mazhorancës nuk i ka këto dy pika, por mbështetet vetëm në vendimet e gjykatave, sërish është një hap përpara në pastrimin e administratës. Është ligji i parë që në mënyrë të qartë detyron çdo funksionar publikë që të paraqesë në mënyrë detyruese dosjen e tij dhe çdo problem që ka pasur me ligjin.

Ashtu siç ishte parashikuar edhe më parë, ligji i qeverisë do të ketë fuqi prapavepruese. Pra, efektet e tij do të përfshijnë të gjithë personat që aktualisht janë të zgjedhur ose mbajnë detyra shtetërore. Nëse projekti kalon në Kuvend me ritëm të përshpejtuar, brenda muajit nëntor do të nisin largimet nga administrata. Janë jo pak zyrtarë që kanë nisur të bëjnë gati valixhet për t’u larguar nga detyra. Pastrimi nis që në Kuvend, ku nga të dyja kampet ka të dhëna dhe akuza konkrete për persona me precedentë penalë, që kanë qënë më parë të dënuar, apo janë nën hetim për vepra të rënda penale. Pritet që një pjesë e tyre të japin dorëheqjen. Deri në miratimin dhe nisjen e zbatimit të ligjit priten dhe dorëheqje të tjera deputetësh, apo lëvizje të tyre në grupet parlamentare ku mund të kenë marrë garanci se nuk do të preken.

Pastrimi i dytë nga të inkrimuniarit do të jetë në pushtetin vendor. Ka të dhëna për të paktën 3 kryebashkiakë të zgjedhur më 21 qershor, kanë rekorde kriminale dhe kanë kryer dënime në vendet të BE-së. Efekti i ligjit pritet të pastrojë edhe mjaft anëtarë të Këshillave Bashkiakë në 61 bashki. Në media ka pasur mjaft denoncime për këshilltarë të dënuar jo vetëm për korrupsion, por edhe për vepra të rënda penale.

Veç personave të zgjedhur, ligji do të prekë në masë të madhe dhe administratën shtetërore. Nëse denoncimet e PD-së për njerëz me probleme me ligjin në drejtoritë e administratës shtetërore në rrethe janë të sakta, pritet që një numër i madh zyrtarësh të largohen nga detyra.

Mësohet se mbrëmë kryeministri Rama ka thirrur një takim urgjent me stafin e ngushtë të tij dhe ka udhëzuar që të bëhet gati lista se cilët mund të jenë deputetët, kryetarët e bashkive, anëtarët e këshillave bashkiakë që preken nga ky ligj dhe të fillojnë dorëheqjet. Kryeministri Rama ka kërkuar llogari ministrave se përse kanë emëruar persona me probleme duke u thënë se mundet që të iki vetë ndonjë ministër që bën emerime të tilla.

Nga mbrëmë filluan të mbledhin plaçkat zyrtarët që preken nga ligji që do të miratohet. Po ikin që të çlirojnë vendin nga pisllëku që ka hyrë në politikë. Por duhet bashkë me ta, të ikin dhe këta që i futën në lista. Kjo quhet politikë e pastër.

Ambasadori Lu meriton gjithë përkrahjen publike për forcën më të cilën e filloi dhe e çoi deri në fund luftën ndaj krimit në politikë. Pa  ambasadorin Lu do të ishte vështirë që krimi të ikte nga vendi ku bëhen ligjet dhe drejtohet Shqipëria. 

Sapo kanë filluar të zbrazin zyrat e tyre dhe të mos kenë asnjë kthim më, sepse e kanë degjeneruar politikën, shtetin dhe administratën elementë të tillë kriminalë.

SHKARKO APP