IKMT-ja në dorën e policisë, Lleshaj jep porositë për kanabisin
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit tashmë do të quhet Inspektorati Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit dhe kalon nga varësia e Ministrisë së Mjedisit te e Brendshmja. Ministri Sandër Lleshaj zhvilloi sot një takim me strukturat drejtuese të IKMT dhe strukturat Vendore e Qendrore të Rendit, në Policinë e Shtetit duke sqaruar se cila do të jetë detyra e strukturës së re.
“IKMT-ja tashmë do të zgjerojë fushën e veprimtarisë, do të mbrojë jo vetëm territorin, por edhe mjedisin, me theks te pyjet. Ky ndryshim synon që të rrisë fuqinë parandaluese në mbrojtje të mjedisit, të godasë veprimtarinë e paligjshme dhe të sigurojë që vendi zhvillohet në kushte normale. Ajo që do të ndodhë është një fuzion i funksioneve të deritanishme të IKMT-së. Përmes këtij bashkimi synohet të rritet fuqia parandaluese, të përmirësohet kontrolli i territorit, të evitohen shpenzimet e panevojshme. Por përse është bërë kjo lëvizje? Së pari duke qenë se IKMT ka kryer një funksion të rëndësishëm në mbrojtje të territorit, ne do të arrijmë ujin, territorin dhe pyjet. Ne do të arrijmë që funksionet të kryhen në kuadër të një veprimi të përbashkët, që tani do të jetë Inspektorati Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit. Strukturat e reja të IKMT-së të inspektimit të mjedisit të pyjeve dhe ujërave do të kryhen në bashkëveprim me policinë. Drejtuesit e rinj apo të vjetër të IKMT-së vendorë, do të jenë pjesë integrale e komisariateve përkatëse në mënyrë që e gjithë puna të kryhet së bashku në koordinim të plotë. Të përgatiten mirë drejtuesit e IKMT-së, që do të adresojë cështjet kryesore që shqetësojnë vendin. Fokusi te ndërtimet pa leje, sidomos në zonat me prioritet, bregdeti. Por edhe disa zona të brishta, administrimi i baseneve ujore, kontrolli i shfrytëzimit të inerteve, guroret, inertet. Nga fundi i shkurtit, kur synojmë ta bëjmë operacionle IKMT-në, drejtoritë vendore do të kenë edhe një përgjegjësi të shtuar për t’u kujdesur për territorin. Kjo kërkon rikonceptim në themel, do të drejtohet nga qendra dhe strukturat vendore të policisë në qarqe. Ne do të lancojmë thirrjet e reja për rekrutim në fushën e IKMT-së, shpresojmë që qytetarët ti përgjigjen thirrjes për angazhim dhe të marrim specialistë dhe ekspertë të motivuar. Procesi do të kryhet në transparencë të plotë, nxit të rinjtë dhe të rejat që kanë eksperiencë në fushën e mjedisit, ujërave dhe pyjeve që të aplikojnë”.
Ministri kishte edhe një porosi të veçantë që lidhet me zaptimin e hapësirave në plazhe në sezonit turistik. “Prefektët të koordinojnë dhe të parandalojnë me cdo kusht, të eliminohet cdo zaptim në plazhet e vendit. Nëse në vitet më parë kemi pasur, rolin që policia është futur në mes të sezonit, kjo punë për këtë vit duhet të fillojë që tani, jo për të pritur dhe larguar zaptues, por për të parandaluar zbatimin e territoreve. Për këtë ka detyrë policia, prefektët, por edhe IKMT-ja, që duhet të ndërhyjë në nivelin parandalues, që të penalizohen njerëz, edhe pse ndonjëherë e meritojnë”.