ILDKPI kallëzon kreun e Gjykatës së Apelit: Ka fshehur 1.7 milionë euro

ILDKPI ka kallëzuar penalisht Kryetarin e Gjykatës së Apelit Tiranë, Alaudin Malaj.

Sipas Inspektoratit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Malaj ka fshehur pasurinë duke bërë deklarime të rreme të interesave private ndërsa dyshohet se ka bërë dhe pastrim parash në shumën rreth 1,7 milion euro.

ILDKPKI i kërkon organit të Prokurorisë një hetim të plotë e të gjithanshëm të subjektit Alaudin Malaj, pasi të dhënat e institucioneve shtetërore ngrenë dyshime të forta për injektim parash të “pista” nga subjekti nëpërmjet skemës së krijimit të bizneseve të ndërtimit në emër të familjarëve të tij, kalimin e aseteve, vlerave monetare dhe aksioneve te subjekti nëpërmjet kontratave fiktive të huave e të dhurimit, e më pas shitjen dhe riinvestimin e tyre nga subjekti në aktivitete brenda dhe jashtë vendit.

Alaudin Malaj në vitin 2003, në deklarimin e parë të interesave private, ka deklaruar gjithsej asete në shumën 60.000 euro dhe në fund të vitit 2014 pasuria e subjektit ka arritur gjithsej në shumën rreth 1,7 milion euro.

SHKARKO APP