Ilegalisht drejt vendeve të BE-së, në hetim 727 shqiptarë
727 persona janë vënë nën hetim nga janar deri në nëntor 2019, pasi kanë tentuar që të kalojnë ilegalisht kufirin duke përdorur dokumente false italiane, bullgare e sllovene me destinacion Anglinë dhe vendet e BE-së. Mësohet se këta persona janë ndaluar në pikën e kalimit kufitar Rinas dhe disa prej tyre janë tashmë të dënuar nga drejtësia për veprën penale falsifikim letërnjoftimesh dhe kalim pa leje të kufirit.
Nga ana tjetër, mësohet se një numër më i lartë shqiptarësh janë prekur nga dëbimet dhe shkelja e rregullave të lëvizjes së lirë në vendet e BE-së, janë afro 1702 shtetas, që ju u është ndaluar të udhëtojnë jashtë Shqipërisë dhe ata janë bllokuar teksa kishin prerë edhe biletat e avionit dhe kishin destinacion Italinë, Greqinë, Gjermaninë, Francën.
Tre persona janë vënë në prangat e policisë për shkak se tentuan të udhëtonin në mënyrë të paligjshme nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara. Ata kanë rënë në prangat e policisë në saj të operacionit të koduar “Destinacioni final”, ku gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar ndaj këtyre personave, shërbimet e Policisë Kufitare Rinas gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 karta identiteti dhe 3 karta shëndeti italiane të dyshuara si të falsifikuara.
Të arrestuarit në bashkëpunim me persona të tjerë pasi kishin siguruar paraprakisht dokumenta të falsifikuara italiane me gjeneralitete të personave të tjerë (italianë) kanë tentuar të kalojnë nëpërmjet aeroportit të Rinasit tranzit drejt aeroportit të Milanos me destinacion final në Mbretërinë e Bashkuar.