Ilir Beqaj paraqitet në SPAK: Më kontrolluan banesën
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme këtë të premte në kuadër të masës së sigurisë të vendosur ndaj tij, asaj të detyrimit me paraqitje pranë një oficeri të BKH-së.
Beqaj është shprehur se edhe kur ka qenë ministër, edhe tani, nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë interes ekonomik apo financiar nga kompanitë farmaceutike. Ish-ministri tha gjithashtu se ditën e djeshme është kontrolluar banesa e tij me vendim gjykate, ku sipas tij, gjetën vetëm sendet e tij personale.
“Në kohën që kam qenë ministër, nuk kam patur dhe nuk kam asnjë interes ekonomik apo financiar, me kompanitë farmaceutike apo pronarët e tyre. Edhe ditën e djeshme u bë një kontroll në banesën time, nuk ishte nevoja të thërrisja avokatin, pasi sendet e mia personale u gjetën aty. Ditën e premte unë paraqitem në SPAK për çështjen e Sterilizimit. Ende nuk e kuptoj se kush është faji im, sepse sterilizimi është një nga gjërat më të mira që është bërë në shëndetësi. Por padyshim në sistemin e drejtësisë edhe unë jam i interesuar të pres vendimin e gjykatës. Ata që bënë kontrollin më treguan një vendim gjykate”, tha Beqaj.
Kujtojmë që Ilir Beqaj është larguar nga grupi negociator i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, vetëm dy muaj pasi u bë pjesë e tij. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave. Në vend të Ilir Beqaj, në atë funksion Qeveria ka emëruar Jona Sulin.