Ilir Meta i kujton Edi Ramës heroin Vojo Kushi

Presidenti Meta ka postuar një status me mesazh aktual.
Ja se ç’shkruan Meta:
78 vite më parë Tirana mbajti frymën për orë të tëra. Kodra e Kuqe, për 6 orë u ndez tym e flakë. Qindra fashiste kishin rrethuar një nga lagjet më antifashiste të kryeqytetit për të arrestuar “Tarzanin” dhe shokët e tij, Sadik Stavalecin, Xhorxhi Martinin dhe Muharrem Llanajn, në shtëpinë e patriotes tiranase Ije Farka.
Armiku i kishte bërë gabim llogaritë.
Qëndresa e Vojo Kushit dhe shokëve të Tij ishte jashtë çdo parashikimi nga pushtuesit. Ndërsa Vojo Kushi humbi në këtë betejë shokët dhe mbeti i vetëm e pa municione, përmblodhi të gjitha fuqitë dhe kërceu si Tarzan i vërtetë mbi autoblindën e armikut duke e tmerruar pushtuesin dhe mbetur përjetë frymëzues për të gjithë shqiptarët në betejat për liri.
Gjithmonë para se të niste shokët në aksion, Vojo Kushi u thoshte: “Nuk ka gjë më të madhe se t’ia falësh jetën Atdheut.”
Kush më bukur dhe burrërisht e bëri këtë se Vojo Kushi? Një mirënjohje e thellë sot i shkon Piktorit tonë të madh, Sali Shijaku, i cili 78 vite më parë, si një fëmijë 9-vjeçar i Kodrës së Kuqe, e përjetoi këtë betejë me ankth, dhimbje dhe shumë emocion.
Kjo ngjarje e gdhendur fort në kujtesën e Tij, falë talentit dhe dashurisë për këtë Hero të Popullit, u fiksua në kryeveprën monumentale të Tij, që paraqet ngadhnjimin e Heroit mbi armikun.
Lavdi Heronjve të Atdheut!

SHKARKO APP