Ilir Meta në Kosovë në përpjekje për zgjidhje krize. I takon të gjithë

 

 

Ilir Meta është prej natës së mbrëmshme në kryeqytetin e Kosovës. Ai ka takuar të gjithë faktorët kryesorë politikë opozitar. Në fund është pritur edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Presidentja Jahjaga i ka thënë Metës se po angazhohet për të krijuar kushte për dialog mes koalicionit qeverisës dhe subjekteve politike opozitare. Temë e diskutimit në takimin Jahjaga-Meta kanë qenë zhvillimet në Kosovë dhe përpjekjet për ta tejkaluar situatën e krijuar në vend, njofton Zyra e Presidentes së Kosovës.

Përveç Presidentes, Meta mbrëmë dhe sot ka takuar edhe Kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe liderët e partive opozitare.

 Ymeri-Metës: S’ka zgjidhje të krizës pa tërheqjen e marrëveshjeve

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri është takuar sot paradite me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilit Meta, të cilit i është sqaruar se nuk mund të ketë zgjidhje të krizës në vend pa tërheqjen e marrëveshjeve nga Qeveria dhe pa lirimin e të burgosurve politikë.

Po ashtu, Ymeri ka kërkuar nga Meta që Republika e Shqipërisë të luaj rol më aktiv në mbështetjen e Kosovës përballë aspiratave hegjemoniste të Serbisë dhe veçanërisht të ndihmojë në pamundësimin e krijimit të një republike serbe brenda Kosovës, përmes “Zajednicës”.

Ramush Haradinaj pas takimit me Metën: Kërkojmë lirimin e të burgosurve politikë

Ramush Haradinaj ka folur pas takimit me kryetarin e Parlamentit të Shqipërisë i cili gjendet në Prishtinë në përpjekje për të ofruar palët drejt një zgjidhje. Haradinaj ka vlerësuar iniciativën e Metës, por ka thënë se opozita nuk ka ndryshuar qëndrim. “Qëndrimi ynë është anulimi i marrëveshjeve dhe lirimi i të burgosurve politikë”, është shprehur ai.

Sa i përket thirrjes se kryeministrit Mustafa për një takim me liderët e opozitës, Haradinaj ka theksuar se opozita nuk shkon në takim te kryeministri. “Ne nuk shkojmë në takim me kryeministrin. Është një ftesë e vonuar dhe e thatë”, ka deklaruar Haradinaj.

Përveç këtyre Meta është takuar edhe me të tjerë.

 

SHKARKO APP