Ilir Meta: Nuk trembem nga intrigat moçalore

Në media dhe nga eksponentë politikë zërat për një krizë në aleancën PS-LSI, kanë arritur kulmin. Ndërsa sot, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka nisur një seri takimesh.

Fillimisht Ilir Meta është takuar me kreun e shtetit, Bujar Nishani. Burime nga LSI thanë se takimi është kërkuar nga kreu i Shtetit dhe ka pasur në qëndër të bisedës zhvillimet politike në vend. Takimi me kreun e shtetit ka zgjatur 50 minuta.

Më pas ai është takuar me kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi. Pikërisht takimi me këtë të fundit ka ngjallur më shumë spekulime, për shkak të numrave që ka në Kuvend Idrizi. Një ditë më parë, Idrizi tha se “zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme”.

Pas takimit, Ilir Meta u pyet nëse do jetë në seancën e radhës në Kuvend. Meta tha se do jetë, pasi më parë ka munguar pasi ishte me grip, të cilin tha se ia ka ngjitur një koleg. Duke folur për kërkesën e opozitës për hetim ndërkombëtar për CEZ, Meta tha se Basha dhe Berisha kërkojnë dy gjëra të ndryshme. Ai tha se Berisha kërkon hetim ndërkombëtar, kurse Basha kërkon mos-hetim ndërkombëtar. Duke komentuar letrën e Spartak Brahos për një projekt destabilizimi të vendit, Meta tha: “Origjina ime e fortë malore nuk më shqetëson nga asnjë intrigë moçalore”.

SHKARKO APP