Ilir Meta po fillon kundërsulmin

 
 
 
Ilir Meta priti e priti derisa e saktësoi se ishte një përbashkim i Ramës me Bashën për ta sulmuar e dërmuar politikisht. Pas mesazheve në distancë si ai i Skraparit, pas përdorimit të Ylli Manjanit dhe letrës për një skenar destabilizues të Spartak Brahos, Ilir Meta ka vendosur të zbresi vetë në terren. Kryetari i Kuvendit ka dhënë sot shenja të qarta se nuk ka ndërmend të presë duarkryq atë që ai e konsideron si një plan Rama- Basha për ta larguar atë nga politika.
Kështu sot, Ilir Meta është takuar fillimisht me presidentin Bujar Nishani, me të cilin besohet se është biseduar për letrën e Spartak Brahos dhe angazhimin e drejtësisë në zbardhjen e disa akuzave që ngrihen aty. Ky takim është një shenjë e qartë që kërkon t'i tregojë opinionit se kryetari i Kuvendit nuk ka më besim tek kryeministri Rama apo ministri i Brendshëm, Tahiri, të cilët normalisht do të duhej të ishin kontaktuar të parët lidhur me çështjen e sigurisë së të akuzuarit për aferën e CEZ, Kastriot Ismailaj.
E ndërsa takimi me Nishanin është një lëvizje e interpretueshme, ai që Ilir Meta zhvilloi fill më pas me kryetarin e PDIU, Shpëtim Idrizi ishte një paralajmërim i qartë për kryeministrin Rama. Një lëvizje për të thënë se Ilir Meta mund të kërcënojë jo vetëm me numrat e tij, por edhe me ato të partisë së çamëve.
Por ajo që mund të quhet si kulm i lëvizjeve të sotme të Metës, ishte deklarata e tij duke dalë nga hotel Rogner. I pyetur nëse do të kalonte në Kuvend projektligjin për hetim ndërkombëtar të aferës së CEZ, të propozuar nga Basha, Ilir Meta tha se ai ishte i gatshëm të votonte propozimin e Berishës që kërkon hetim që nga privatizimi i CEZ e deri më sot dhe jo atë të Bashës, që kërkon të hetohet vetëm një segment i caktuar. Duke dashur të lërë të kuptohet se preferenca e tij për Berishën ishte më shumë se sa votimi i një propozimi, Meta tha se "Doktori e di mirë se kur them unë po, është po", një aludim i qartë ky që shpreh gatishmërinë e tij për ndonjë marrëveshje të re me Berishën. Nuk dihet nëse ka patur një takim të fshehtë mes Metës e Berishës tek Gjiri i Lalzit , porse duket se po kuptohen me antena në ajër.Dhe po u bashkuan bashkë janë të rrezikshëm, të dy , për Ramën.
Madje, edhe shprehja që Meta u tha gazetarëve duke u larguar se: "unë kam origjinë malore ndaj nuk më prekin intrigat moçalore", mund të interpretohet si një tjetër sinjal për "besë" nga Sali Berisha.
Tashmë loja ka zbritur në terren dhe ngjarje të reja priten, ndërsa kryeministri Rama vazhdon qëndrimin e tij 12 ditor në Nju Jork.
Gjithashtu mësohet se mund të bëhet edhe një takim i Ben Blushit me Ilir Metën. 

SHKARKO APP