Meta shkon te Berisha, përgatiten fort për Tiranën. PL synon këshilltarët, Berisha kryebashkiakun
Kryetari i Partisë së Lirisë, ish-presidenti Ilir Meta ka shkuar sot në selinë e Partisë Demokratike. Meta është takuar me kreun e PD, Sali Berisha.
Takimi u zhvillua në kuadër të negociatave për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
Meta tha për median se “Jemi në një bashkëpunim të plotë me Berishën. Kryetari i ardhshëm i Bashkisë, i opozitës së vërtetë që do triumfojë, por edhe kryetari i ardhshëm i Këshillit të Bashkisë do ti bëjnë spektakël ndaj kësaj mazhorance kriminale.
Partia e Lirisë respekton primaret. Është risi e jashtëzakonshme, kemi kërkuar që sa më shpejt të realizohet ky proces. Kudo që ne kemi kandidatë, të cilët premtojnë do t’i përfshijmë në primaret e përbashkëta me PD. E rëndësishme që kandidatët të respektojnë njëri-tjetrin, ai që përdor primaret për të sulmuar kandidatët e tjerë përjashtohet nga gara.
Nuk kam patur asnjë diskutim për emrin që do të jetë në Tiranë apo kudo tjetër. I kam propozuar një emër Berishës për kryetar të Këshillit Bashkiak të Tiranës që ai e priti me shumë kënaqësi. Parlamenti i ardhshëm i Tiranës do të jetë shumë i rëndësishëm.
Çdo të hënë do të jetë Këshilli Bashkiak për të dëgjuar qytetarët. Nënë Liza do të të flasë aty. Do e shihni shumë shpejt. Eshtë super politikan“, tha Meta. PL synon në këto zgjedhje të marrë vota vetëm për këshilltarët e saj.
Ndērkohë në PD po mendojnë se kush mund ta përballojë Erion Veliajn. Përveç emrit te mjekut të njohur Ilir Alimehmeti, përflitet se mund të jetë si emër përbashkues të krejt opozitës edhe deputetja Jorida Tabaku. Por dhe një emër tjetër potencial mbetet si garues, Gerti Bogdani si ish-deputet i PD.
Nga ana tjetër Erion Veliaj ndjehet i sigurtë në kryeqytet. PS-ja e ka vendosur se ai do të rikandidojë për herë të tretë për kryetar bashkie.
Një analizë e shpejtë e situatës politike në bashkinë e Tiranës tregon se Erion Veliaj dhe PS-ja bashkë me të, akoma janë para opozitës në sensin e votave të mirëfillta partiake. Por do të vendosin pjesa gri e votuesve, të cilët në kryeqytet shkojnë nga 25 deri në 30 përqind e votuesve të regjistruar.
Ndaj do të jetë emri si kandidat e jo partia që do të vendosë se kush fiton në Tiranë.