Ilirjana Nano për ATSH: Lista e votuesve nga jashtë gati 60 ditë para zgjedhjeve, regjistrimi edhe me ID të skaduar
Mes diskutimeve për miratimin e rregullave për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë vendit dhe përgatitjes së listës së tyre, për zgjedhjet e pranverës 2025, kryetarja e Komisionit Rregullator të KQZ-së, Ilirjana Nano ka folur për ATSH duke renditur të gjitha pikat e këtij procesi, që nga angazhimi i të gjithë faktorëve në vend për miradministrimin e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë, te mbarëvajtja e zinxhirit të procedurave deri ditën e zgjedhjeve vitin e ardhshëm.
ATSH: Vota e Diasporës dhe implementimi i kësaj qasjeje në zgjedhjet e pranverës 2025. Si po ecën si proces?
Nano: KQZ po vijon punën intensive për përmbushjen e kompetencave të saj në funksion të garantimit të së drejtës së votës së qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Aktualisht jemi në procesin e hartimit dhe miratimit të rregullave dhe normave që garantojnë përgatitjen, zhvillimin dhe administrimin e votimit nga jashtë. Komisioni Rregullator, si organi përgjegjës për miratimin e akteve normative nënligjore, po punon me intensitet por edhe kujdes të shtuar, pasi ka shumë aspekte teknike të cilat duhen normuar. Ne po konsultohemi në mënyrë të vazhdueshme me organizatat që përfaqësojnë diasporën, organizatat e shoqërisë civile dhe partitë politike në mënyrë që aktet normative të votimit nga jashtë të jenë të gjithëpranuara, por dhe të ofrojnë të gjithë garancitë që i duhen këtij procesi. Kemi miratuar rregullat për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve. Tani jemi në proces të miratimit të listës së detajuar të dokumentacionit që kërkohet për regjistrimin e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Shqipërisë.
ATSH: Si do të mund të regjistrohen shqiptarët që duan të marrin pjesë në këtë proces, që pritet të nisë në marsin e vitit të ardhshëm?
Nano: Çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që ndodhet jashtë vendit në datën e zgjedhjeve dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet për Kuvendin nga atje ku ndodhet, duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit. Regjistrimi i zgjedhësit në listën e zgjedhësve jashtë vendit bazohet në vullnetin e vetë zgjedhësit për ta ushtruar të drejtën e votës.
Zgjedhësi që dëshiron të votojë nga jashtë paraqet në mënyrë individuale kërkesë për regjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) të ngritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për këtë qëllim.
Kjo platformë do të jetë e aksesueshme pa pagesë dhe nga të gjithë pajisjet elektronike që disponon qytetari (telefon celular/tablet/kompjuter).
Qytetari do të krijojë një llogari në platformën PER duke vendosur numrin e tij personal të identifikimit, datëlindjen dhe vendlindjen e tij; një pamje të fytyrës së tij nëpërmjet sistemit të verifikimit të pranisë së gjalli të personit (ang. user liveness check) dhe një numër telefoni celular dhe/ose një adresë e-mail.
KQZ verifikon përputhshmërinë e të dhënave identifikuese dhe, nëse pas verifikimit, të dhënat përputhen, atëherë zgjedhësit i krijohet llogaria. Nëse të dhënat nuk përputhen zgjedhësit nuk i hapet llogaria, por zgjedhësi ka mundësi të saktësojë të dhënat dhe të rikërkojë krijimin e llogarisë.
Zgjedhësi paraqet kërkesë për t’u regjistruar në listën e zgjedhësve nga jashtë, nëpërmjet llogarisë së tij të krijuar në PER, duke ndjekur këto hapa:
- Skanon përmes PER një dokument identifikimi të lëshuar nga Republika e Shqipërisë, pasaportë për jashtë shtetit, ose letërnjoftim. PER lexon dhe ngarkon automatikisht në platformë të dhënat që përmban dokumenti i identifikimit. Nëse për arsye të ndryshme këto të dhëna nuk ngarkohen automatikisht, atëherë zgjedhësi i ngarkon ato në PER në mënyrë manuale. Në çdo rast PER i krijon mundësi zgjedhësit që të ngarkojë të skanuar dokumentin përkatës të identifikimit.
- Ngarkon në PER të paktën një dokument që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Lista e këtyre dokumenteve miratohet me akt të veçantë të Komisionit Rregullator, i cili vendos edhe kufizim të numrit të zgjedhësve të regjistruar në një adresë, si dhe përjashtimet përkatëse.
- Plotëson adresën e banimit e cila duhet të përmbajë të paktën këto të dhëna: shtetin, kodin postar, qytetin, emërtesën e rrugës, numrin e banesës, si dhe elemente të tjera të adresës (nëse ka).
Kërkesa për regjistrim është individuale dhe PER nuk lejon që ajo të paraqitet në emër të një personi tjetër dhe/ose nga një llogari e një personi tjetër.
ATSH: Si do procedohet me mjetet e identifikimit, nëse ato nuk janë të vlefshme? Pra, a do mund të votojnë shqiptarët nëse kanë mjete identifikimi të skaduara?
Nano: Zgjedhësi do të lejohet të regjistrohet edhe me dokument identifikimi (pasaportë për jashtë shtetit ose kartë identiteti) të cilit mund t’i ketë kaluar afati i vlefshmërisë, por e drejta e votimit do të realizohet në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Nenin 105, Pika 1, shkronja (a) të Kodit Zgjedhor, (ku kërkohet një dokument i vlefshëm) si dhe në aktet e tjera që Komisioni Rregullator do të miratojë për votimin nga jashtë. Pra edhe pse në momentin fillestar të regjistrimit pranohet me dokument të cilit i ka kaluar afati i vlefshmërisë, në fund të periudhës së regjistrimit, për të mundësuar votimin, zgjedhësi do të duhet ta ketë një dokument të vlefshëm.
ATSH: Cilat do të jenë të dhënat që u duhen shqiptarëve do të votojnë nga jashtë? Pra, një adresë, numër telefoni etj.
Nano: Duhet të shfaqin vullnetin e tyre për të votuar nga jashtë duke u regjistruar në Platformën Elektronike të Regjistrimit, përmes një dokument identifikimi të lëshuar nga Republika e Shqipërisë, pasaportë për jashtë shtetit, ose letërnjoftim.
Duhet gjithashtu të kenë të paktën një dokument që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe adresën e banimit e cila duhet të përmbajë të paktën këto të dhëna: shtetin, kodin postar, qytetin, emërtesën e rrugës, numrin e banesës, si dhe elemente të tjera të adresës (nëse ka). Sipas nenit 25, pika 6 të Kodit Zgjedhor, adresa e deklaruar vetë nga zgjedhësi, duhet të mbështetet në një dokument që ai vetë do ta ngarkojë në Platformë dhe lista e këtyre dokumenteve do të miratohet së shpejti nga ana e Komisionit Rregullator,
ATSH: Po për personat që janë në një moshë më madhore, çfarë do të kërkohen si të dhëna?
Nano: Rregullat vlejnë njëlloj për të gjithë zgjedhësit që dëshirojnë të votojnë nga jashtë, pavarësisht moshës së tyre.
ATSH: Nga lista paraprake te momenti final i votimit dhe mbërritja e fletës së votimit me postë, si do menaxhohet ky proces nga ana e KQZ-së?
Nano: Ky proces do të administrohet nga KQZ, dhe rregullat e detajuara për këto procese do të miratohen në ditët në vijim.
ATSH: Si e provon KQZ-ja vlefshmërinë e procesit të votimit apo votës për shqiptarët jashtë?
Nano: KQZ do të përgatisë, menaxhojë dhe administrojë këtë proces ashtu siç bën dhe me procesin e votimit nga brenda vendit, me përgjegjësi të plotë dhe duke ofruar të gjithë garancitë që ofron dhe për procesin e votimit brenda vendit.
ATSH: A ka një parashikim për numrin e votuesve shqiptarë nga diaspora që do të votojnë në zgjedhjet e pranverës 2025?
Nano: Ne nuk e dimë ende se sa do të jetë numri i qytetarëve shqiptarë që do të votojnë nga jashtë vendit, por po punohet që e drejta e votës të garantohet për të gjithë ata që duan ta ushtrojnë këtë të drejtë nga vendet ku ata jetojnë. Një numër i tillë do të mund të dihet 60 ditë para datës së zgjedhjeve, atëherë kur të kenë mbaruar procedurat e regjistrimit dhe hartimit të listës së zgjedhësve nga jashtë vendit.
ATSH: A ka dakordësi me opozitën në pjesën e projektligjit për listën e dokumentacionit që kërkohet për votën e shqiptarëve nga jashtë?
Nano: Komisioni Rregullator në vazhdimësi ka punuar dhe konsultuar të gjithë aktet e tij me partitë politike, shoqërinë civile. Në këtë këtë rast jemi duke u konsultuar edhe me organizatat që përfaqësojnë diasporën në mënyrë që akti i miratimit të listës së dokumentacionit që duhet të paraqesë zgjedhësi të jetë shterues dhe gjithëpërfshirës.
/e.i/r.e/a.f/ ATSH