Importet sezonale, deputeti Bido: Fermerëve u kërkohet mandarina me 40 lekë, në treg shitet 100
Deputeti i PS-së, Ardit Bido ka denoncuar sot atë që e cilëson si një fushatë të padrejtë dhe të orkestruar mediatike ndaj prodhuesve të mandarinave në zonën e Konispolit. Në një deklaratë publike nga parlamenti, Bido hodhi poshtë me forcë zërat se prodhimi vendas është i kontaminuar me pesticide, duke e konsideruar këtë një manovër të pastër spekulative nga tregtarët e mëdhenj.
Sipas deputetit socialist, pas lajmeve për pesticide fshihen interesat e grosistëve që synojnë të favorizojnë importin në dëm të fermerit shqiptar. “Është një sulm që vjen prej grosistëve që duan të sjellin mandarina të importuara. Në asnjë rast nuk ka asnjë analizë që nxjerr mandarinat e Konispolit me pesticide”,-deklaroi Bido.
Ai solli në vëmendje diferencën abuzive në çmimet e tregut: ”Ky sulm ka prodhuar që ne të kemi mandarina më shumë sesa 100 lekë në tregje, ndërkohë që fermerëve u kërkohet që t’i shesin me më pak se 40 lekë”.
Krahas çështjes së bujqësisë, Bido u ndal edhe te pasojat e motit të keq. Ai garantoi banorët e zonave të prekura se qeveria do të mbulojë dëmet e shkaktuara. ”Do të dëmshpërblehen të gjitha shtëpitë e dëmtuara, të gjithë krerët e ngordhura si dhe bletaria e zonës”,- tha ai, duke kërkuar vëmendje të shtuar edhe për dëmet në ullishte dhe biznese.
Në mbyllje të fjalës së tij, deputeti Bido nuk i kurseu kritikat ndaj opozitës për mungesën në ceremonitë zyrtare të festave të Nëntorit. ”Këtë herë opozita bojkotoi dhe flamurin. Ka shumë gjëra që mund të bojkotojmë, por është kulmi i anormalitetit që të bojkotohet flamuri shqiptar në ditën e tij”.
KOHA JONË SONDAZH

