Importi i mallrave, Ministria e Infrastrukturës: Vijon normalisht puna në portin e Durrësit
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se puna në portin e Durrësit për përpunimin e anijeve të mallrave që mbërrijnë në port vijon normalisht, pavarësisht kufizimeve të krijuara nga masat parandaluese të COVID – 19.
Porti i Durrësit është një nga pikat kryesore nga ku mbërrijnë produktet e ndryshme për furnizimin e tregut vendas. Në këtë situatë të krijuar, furnizimi i pikave ushqimore të shumicës apo pakicës është thelbësor.
Por, sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, importet janë në nivele optimale, çka do të thotë se nuk do të ketë mungesa ushqimore apo produktesh nëpër pikat e shumicës apo pakicës, për furnizimin e qytetarëve. Vetëm në periudhën 1-14 Mars 2020, janë importuar 149.3 mijë tonë produkte, me vlerë prej rreth 21.5 miliardë lekë.