Imunizimi i popullsisë nga COVID-19, mjeku Erion Dasho zbulon kush është shteti më i suksesshëm në Ballkan

Dozat e vaksinës së koronavirusit po kërkohen në të gjithë botën, por situata mbetet e vështirë pasi ka pasur vonesa dhe ulje të shpërndarjes së dozave nga kompanitë farmaceutike.

Teksa rastet e reja po shtohen ndjeshëm, është përhapur paniku pasi po raportohen çdo ditë persona të infektuar me variantet e tjera të koronavirusit.

Në një lidhje me skype për “Wake Up”, mjeku Erion Dasho zbuloi sa e imunizuar është Europa ndaj Covid-19. Ai përmendi edhe Serbinë si një ndër shtetet më të suksesshme sa i përket imunizimit të popullsisë.

“Le të shohim pak Bashkimin Europian. Ndonëse u përfol për tensione mes vendeve të Bashkimit Europian, por situata e imunizimit brenda vendeve të BE-së është pak a shumë uniforme. Pra, BE ka administruar deri tani, në total diku te rreth 15 milionë doza të vaksinës dhe pothuajse kemi 3% të popullatës të imunizuar në të gjitha vendet e Bashkimit Europian.Bën diferencë Anglia, e cila nuk është më pjesë e unionit, e cila ka arritur të sigurojë më tepër dhe Anglia e ka diku te 15% shkallën e imunizimit. Ndërkohë, pas Britanisë së Madhe është Serbia, e cila ka qenë jashtëzakonisht aktive. Serbia sot ka të imunizuar 7% të popullsisë. Vendet e tjera të BE-së janë pothuajse në të njëjtat nivele.

Vendet e Ballkanit, me përjashtim të Serbisë kanë qenë pasive. Edhe qeveria shqiptare, edhe Ministria e Shëndetësisë nuk i ka dëgjuar rekomandimet e ekspertëve ku i kemi thënë që duhet të hyjë në lojë pavarësisht nga Covax. Qeverisë ju kërkua që të hynte në garë gjatë verës, por nuk e bëri.

Flasim për një hyrje vonë në lojë, por që e ka kompensuar nga intensiteti, ndoshta edhe duke paguar ndonjë çmim më të lartë, këtë së dimë, pasi nuk është bërë publik çmimi”, theksoi Dasho.

SHKARKO APP