Inaugurohet Qendra e Trajnimit të Noterëve, Gjonaj: Stimulohet meritokracia dhe rritet profesionalizmi
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj inauguroi sot hapjen e Qendrës së Trajnimit të Noterëve. Në mjediset e Qendrës, Ministrja Gjonaj deklaroi se “Për herë të parë në historinë e Noterisë Shqiptare kemi një Qendër Trajnimi tërësisht profesionale, e cila do të luajë një rol të rëndësishëm për të garantuar jo vetëm rekrutimin e kandidatëve të kualifikuar për këtë profesion, por edhe për të garantuar zhvillimin e mëtejshëm profesional të të gjithë lëmit të noterëve dhe zëvendës noterëve me qëllimin e vetëm, ofrimin e një shërbimi cilësor, transparent për qytetarët.”
Ministrja e Drejtësisë Gjonaj vlerësoi Dhomën Kombëtare të Noterisë, të cilët, krahas ekspertëve vendas dhe të misionit EURALIUS, kanë qenë bashkëpunëtorë mirëkuptues, të një prej reformave më të qenësishme të Ministrisë së Drejtësisë, atë të reformës në fushën e noterisë dhe reformimit të mentalitetit të publikut ndaj këtij profesioni.
Miratimi i ligjit të ri për noterinë në fundin e vitit 2018, si dhe hartimi i të gjithë paketës së akteve nënligjore në zbatim të tij, kanë qenë një ndër arritjet dhe sfidat e mia në këtë mandat në drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, ku për herë të parë kemi një kuadër të plotë ligjor, sipas standardeve evropiane, i cili jo vetëm parashikon kriteret e reja për t’u bërë noter, për provimin e kualifikimit, për marrjen e licencës, për plotësimin e vendit vakant, por ajo çka është e rëndësishme dhe për të cilën jemi mbledhur këtu sot, është edhe parashikimi i ngritjes së Qendrës së Shqiptare të trajnimit të Noterëve.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se “Me inaugurimin e saj si Qendra e parë dhe e vetme e trajnimit për noterët, përmes një strukturimi model, mundësohet zhvillimi i një programi të detajuar dhe me aktivitete të vazhdueshme e të përcaktuara qartë për të gjithë noterët, të cilët do të pasurojnë njohuritë e tyre në fushat kryesore të së drejtës si dhe do të fuqizojnë aftësitë praktike.
Formimi fillestar i kandidatëve për noterë dhe ai i vazhdueshëm i noterëve-anëtarë të Dhomës Kombëtare të Noterisë, do të jetë objektivi i kësaj Qendre. Ndërkohë misioni ynë i madh është pastrimi i rradhëve të noterëve nga abuzuesit që dëmtojnë pafund emrin dhe reputacionin e të gjithë anëtarëve të ndershëm të komunitetit tuaj.”
Të gjithë noterët kanë qenë pjesë e një procesi vlerësues dhe verifikimi, i cili vinte si një kërkesë e një standardi të ri të rregullave të ushtrimit të profesionit, ku padyshim pastërtia e figurës dhe profesionalizmi ishin standardet që Ministria e Drejtësisë synonte të arrinte përmes këtij procesi aspak të lehtë por me rëndësi themelore si në punën e noterëve ashtu edhe në rolin rregullator të Ministrisë së Drejtësisë.
Ministrja e Drejtësisë Gjonaj theksoi se “Nuk harrojmë kërkesat e Këshillit të Europës përmes MoneyVal që e sheh pozicionin e noterit si kyç në luftën kundër pastrimit të parave.
Tashmë me kriteret e reja për fitimin e profesionit të noterit, duke forcuar pozitën e tyre, duke stimuluar meritokracinë dhe rritur profesionalizmin, me një bazë elektronike të të dhënave të noterëve, dhe sot me çeljen dhe funksionimin e kësaj Qendre, do të kemi noterë më profesionalë, do të kemi shërbime më cilësore, më transparente dhe më afër qytetarit.”
Ministrja Gjonaj falenderoi Dhomën Kombëtare të Noterisë, presidenten Mimoza Sadushi, Zëvendës Presidentin Fatmir Lacej, të gjithë komunitetin e noterëve, Euralius dhe të gjithë ekipin e Ministrisë së Drejtësisë që mundësoi hapjen e kësaj Qendre.
Qendra do të jetë struktura përgjegjëse për formimin fillestar të kandidatëve për noterë dhe formimin vazhdues të noterëve anëtarë të Dhomës Kombëtare të Noterisë.
Pranë Qendrës Shqiptare të Trajnimit të Noterëve, kandidatët do t’i nënshtrohen trajnimit fillestar të detyrueshëm me qëllim marrjen e njohurive përmes kurrikulave të përcaktuara dhe përvetësimin e aftësive të nevojshme rreth noterisë.
Ndjekja e këtij trajnimi fillestar të detyrueshëm pranë Qendrës, synon kualifikimin e kandidatëve më të mirë, të cilët do të jenë në gjendje të fitojnë njohuri dhe aftësi praktike mbi të gjitha aspektet e veprimtarisë noteriale, mbi fushat e së drejtës të lidhura me noterinë, nxitjen e frymës së bashkëpunimit profesiona, si dhe të njihen me rregullat etiko-profesionale të profesionit.
Gjithashtu, Qendra luan një rol të rëndësishëm sa i takon kualifikimit dhe zhvillimit profesional të mëtejshëm të noterëve dhe zëvendësnoterëve përmes programit vazhdues. Përmes një programi të detajuar dhe me aktivitete të vazhdueshme e të përcaktuara qartë, noterët do të mund të thellojnë njohuritë e tyre në fushat kryesore të së drejtës, me qëllim ngritjen profesionale dhe forcimin e aftësive praktike.