Inaugurohet Zyra e FAO-s në Tiranë, e para në Ballkan

 

10 dhjetor 2015, Tirana, Shqipëri – Zyra e FAO-s e hapur së fundmi në Shqipëri u inaugura sot, në prezencën e Ministrit të Bujqësisë, z. Edmond Panariti dhe Drejtorit të Përgjithshëm të FAO-s, z. José Graziano da Silva. Zyra, e cila është e para në Ballkan, do të koordinojë projektet e FAO-s në fushat prioritare për Shqipërinë siç janë mbështetja për fermerët, ndryshimi i klimës, siguria ushqimore, statistikat, dhe barazia gjinore.

Gjatë vizitës së tij dy ditore në Shqipëri, Graziano da Silva u takua me Kryeministrin e Shqipërise, z. Edi Rama, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati. Në takimet e tij Drejtori i Përgjithshëm, nënvizoi zotimin e FAO-s për të mbështetur reformën e vendit në sektorin e bujqësisë dhe të zhvillimit rural për të arritur standartet e Bashkimit Evropian. Shqipëria u bë vend kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2014.

“Në nivel rajonal, Ballkani mbetet një rajon i rëndësishëm për FAO-n përsa i përket kontributit për sigurimin e ushqimit në rang global” tha Graziano, “dhe në Ballkan, Shqipëria zë një vend të rëndësishëm për FAO-n. Sfidat mjedisore po bëhen gjithmonë e më të qarta, siç janë përmbytjet e fundit, dhe FAO është e gatshme të kontribuojë për zbutjen e ndryshimeve klimaterike dhe përgatitjen e strategjive për përshtatje.”

Graziano theksoi gjithashtu dhe fokusin e FAO-s mbi komunikimin dhe kontaktet me parlamentarët e vendeve anëtare, që ata të shtojnë njohuritë e tyre për mandatin e organizatës dhe kontributin e FAO-s për të mirat publike globale, si dhe për të stimuluar përfshirjen e tyre në Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (Sustainable Development Goals) të miratuara së fundmi.

Dje, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s, u nderua me titullin Dr. Honoris Causa. Pjesëmarrës në ceremoni ishin rektori i universitetit z. Fatos Harizaj, Ministri i Bujqësisë, z. Edmond Panariti, Zëvendës Përfaqësuesi i FAO-s në Shqipëri, z. Arben Kipi, dhe një numër anëtarësh të stafit të fakulteteve të universitetit dhe zyrtarë.

SHKARKO APP