Inceneratorët/Alibeaj: Do të ketë zhvillime të reja. SPAK, ”qen roje” i parave të pista
”Do të ketë edhe zhvillime të tjera, jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë vendit për inceneratorët. Mbajeni mend këtë gjë”. Kështu thotë ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj teksa foli mbi tri kallëzimet e bëra në SPAK, në lidhje me inceneratorin e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.
Nga ana tjetër, ai u shpreh se shqiptarët presin përgjigje mbi aferën 500 milionë euro, ndërsa SPAK është në test për të treguar veten. Për të SPAK, është ”qeni roje” i parave të shqiptarëve por që do të duhet të veprojë.
”Ne e kemi denoncuar këtë aferë që në kohën kur ishim në parlament. Tabaku ka mbajtur një interpelancë në Parlament. Nuk e kishim imagjinuar se do të shkonte deri në 500 milionë. Hap pas hapi, dokument pas dokumenti, krijuam një panoramë të qartë të këtij skandali. Kuptohet kur je në këtë situatë pandemie dhe të shohësh se si paratë e shqiptarëve bëhen rrush e kumbulla, kjo është një gjë për të ulëritur. Ne kemi qenë të përballur me një numër të madh skandalesh. Fakti që kemi pasur kaq shumë denoncime, mund të krijohet edhe një ide e gabuar që ky ka ardhur në këtë kohë dhe nuk ka qenë më parë. E rëndësishme është që ne kemi grumbulluar materialin dhe po vendosim në test drejtësinë e re. Të gjithë jemi sy e vesh që paratë e shqiptarëve të mos shkojnë në drejtim të paditur. “Qeni roje” i parave të shqiptarëve do të duhet të veprojë”,- tha ai në ”A2cnn”.