Inceneratori i Tiranës, Apeli i GJKKO kthen në qeli Namik Simixhiun
Vetëm 1 muaji ka zgjatur masa e arrestit Namik Simixhiut, në hetim për inceneratorin e Tiranës.
Apeli i Posaçëm ka rikthyer masën arrest me burg për Simixhiun, përfaqësues nga bashkia në komisionin e dhënies së koncensionit së inceneratorit.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Dhimitër Lara, sot më 05.07.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 141 akti, datë 25.06.2024 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 238, datë 06.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, ndaj shtetasit nën hetim N.S., disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 238, datë 06.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të hetuarin Namik Simixhiu, duke urdhëruar: Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal shtrëngues të “arrestit në burg” për të hetuarin z. N.S., caktuar me vendimin nr. 134, datë 07.12.2023, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, sipas neneve 28, 248, 334 të Kodit Penal”, njoftoi Apeli i GJKKO.