Inceneratori i Tiranës, Preç Zogaj: Nuk mund të hetohet te nëpunësit e vegjël
Analisti Preç Zogaj, duke komentuar në emisionin “Të Paekspozuarit” arrestimet për inceneratorin e Tiranës, tha se kjo aferë e madhe korruptive nuk mund të hetohet te nëpunësit e vegjël dhe ajo duhet të shkojë në majën e pushtetit ku është prodhuar.
”Ka një vit që kemi parë një apologji sikur ky i ashtuquajturi incenerator i Tiranës nuk ka probleme. Opinioni është bombarduar me PR se Tirana është më e pastër dhe me hetimin që ka nisur për të ashtuquajturin incenerator ka rënë edhe avokatia që Erion Veliaj i ka bërë kësaj çështjeje.
Ne shikojmë se këtu fle lepuri i madh, jo vetëm shuma 400 milionë euro, edhe numri i zyrtarëve të akuzuar dhe në këtë “tren” është kupola e inceneratorëve dhe të bashkisë së Tiranës.
Këtu duhet të dallojmë standardin e dyfishtë të medias dhe të SPAK-ut. Shumica e mediave në Shqipëri kanë ortakëri me institucionet që kanë para, janë më afër bashkisë se sa qeverisë dhe e kanë lënë si lajm të dorës së dytë këtë çështje.
Unë kam një indicie që ky hetim do të vazhdojë dhe do të thellohet, nuk ndalet pa shkuar aty ku është fillesa. Hetimi do të shkojë deri në fund”,-u shpreh Zogaj.