Indikatorët e Covid-19 në rënie, epidemiologu: Do të kthehemi në normalitet
Indikatorët e pandemisë së Covid-19 janë në rënie dhe do të kthehemi në normalitet. Epidemiologu Artan Simaku, thotë se sezoni turistik do të jetë pothuajse normal, por nuk duhet humbur vigjilenca.
”Ky do të jetë një sezon pothuajse normal, pasi masat duhet të respektohen në ambientet e mbyllura. Është vaksinuar stafi i zonave turistike dhe kjo është një ndihmë shumë e madhe për lehtësimin e sezonit të verës. Komiteti i Ekspertëve vendos për masat bazuar në disa indikatorë. Jemi në kohën e duhur për një rishqyrtim të masave nga Komiteti i Ekspertëve bazuar në këtë grup faktorësh. Të gjithë indikatorët janë në rënie. Për shkak të masave numri i pacientëve është më i ulët, ka rënie të numrit të rasteve fatale dhe rasteve që janë të intubuar dhe atyre që kanë nevojë për terapi intensive. Duhet thënë që nuk ka vend për neglizhencë, se në persona të caktuar rrezikshmëria mbetet. Do të jemi në normalitet të ri, por duhen mbajtur parasysh masat”,-thotë Simaku.
Vaksinimi masiv i popullatës dhe imuniteti natyral janë për Simakun, dy janë faktorët që kanë ndikuar në zbutjen e pandemisë. Sa i takon efektshmërisë së vaksinave, ai thekson që edhe të gjitha vaksinat kanë një efektshmëri të lartë dhe japin mbrojtje shumë të lartë ndaj Covid-19.
”Të gjitha vaksinat kanë një efektshmëri të lartë dhe japin mbrojtje shumë të lartë ndaj Covid 19 dhe nuk ka asnjë lloj hezitimi dhe nga popullata vaksinimi ka qenë i mirëpritur dhe nuk ka patur fenomene anësore. Studimet janë në ecurinë e tyre dhe do t’ju njoftojmë për efektshmërinë, po në të gjitha shtetet ku janë aplikuar efektshmëria është tepër e lartë si Sinovac, që ka qenë e debatuar, arrin 90% në vendet ku është aplikuar. Vaksinimi është i mirëpritur nga të gjitha grupmoshat”,-tha në ”A2cnn”.