Infektivi do të drejtohet nga një i komanduar, shefi i ri zgjidhet pas 25 prillit

Shefja e Infektivit, Najada Çomo tashmë është nën ethet e 25 prillit, pasi vendosi të kandidojë si deputete në listën e Partisë Socialiste. Deri në zgjedhjen e shefit të ri të Shërbimit Infektiv, spital i shndërruar në Covid, gruaja që e udhëhoqi këtë Shërbim për 2 vjet e gjysmë, duke ndërprerë mandatin 5-vjeçar do të vijojë të qëndrojë në detyrë deri sa të fitojë karrigen e deputetes.

Drejtuesi i komanduar që do të përzgjidhet duhet të plotësojë disa kritere, mbi të gjitha t’i bëjë ballë pandemisë. “Kriteri ka të bëjë kryesisht me titullin shkencor ose gradën shkencore, pra duhet të jetë minimalisht doktor shkencash. Duhet minimumi rreth 15 vjet eksperiencë pune dhe duhet të ketë të paktën 5 vjet eksperiencë pedagogjike. Te infektivi ka plot mjek që e kanë treguar gjatë gjithë kësaj kohe sepse ka një vit që ka filluar COVIDI dhe janë shumë mjek aty që kanë punuar me shumë vetëmohim, me shumë përkushtim. Do ta ketë të vështirë besoj drejtoria e QSUT të zgjedhë atë që përveç anës së përkushtimit dhe profesional ka dhe aftësi organizative”-tha rektori i Universitetit të Mjekësisë.

Emrat që janë përfolur për të marrë drejtimin e shefit të Shërbimit Infektiv janë mjekët infeksionistë Arjan Harxhi dhe Pëllumb Pipero.

SHKARKO APP