Infektohet me COVID-19 zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi
Zëvendës ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi është infektuar me COVID-19. Lajmi është bërë i ditur nga vetë ai përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”. Koçi ka treguar edhe disa nga simptomat e sëmundjes si kollë, temperaturë si dhe këputje trupi.
Gjithashtu, zëvendës ministri iu ka kërkuar të gjithë personave, me të cilët ka patur kontakte katër ditët e fundit të bëjnë kujdes.
“COVID, i vetofruar si dhuratë për festat e fund dhe fillimvitit hyri pa trokitur në familjen tonë, duke na përqafuar të gjithëve. Një kolle që vjen gjithnjë e me shumë prej thellësisë së kraharorit, temperaturë nganjëherë me ethe, një këputje trupi, ilaçe, gjilpëra, çajra etj, na shoqërojnë ditët. Dje u konfirmuam me COVID dhe nga analiza. U kërkoj gjithë kontakteve të mia të para 4 ditëve të bëjnë kujdes. Ju uroj shëndet miqtë e mi!”, shkruan Petro Koçi.