Injoron protestat, Edi Rama: Arsimin e kam prioritet, reformat të pakthyeshme!

Kryeministri Edi Rama, në një tryezë për arsimin me diplomatë dhe ekspertë të huaj ka deklaruar sot se, arsimi është prioriteti i parë i qeverisë së tij dhe se reformat që janë ndërmarrë nuk do të ndalen deri në përmbushjen me sukses të tyre.

-“Arsimi është prioriteti i parë i një shoqërie, por që ndër vite është trajtuar si i fundit. Arsimi është i rëndësishëm për fëmijët tanë, ndaj ne kemi nisur me vullnet ndërmarrjen e reformave të thella, të cilat do t’i vazhdojmë deri në fund të mandatit tonë”, – ka thënë kryeministri Edi Rama.

Shefi i qeverisë ka vlerësuar në këtë drejtim ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, duke u shprehur “krenar që sot kam fat të punoj me një ministre që udhëheq reformat me bindje të thellë”.

Më tej kryeministri Edi Rama e ka vënë theksin tek rëndësia që pati mbyllja e disa universiteteve private, që ishin kthyer në fabrika të cilat “prodhonin” diploma për njerëz “mediokër”, disa prej të cilëve nuk kishin as shkollë të mesme, apo nuk shkuan asnjë ditë në universitetet.

Ky fenomen çuditërisht nuk kishte shqetësuar më herët asnjë përfaqësues të universitetit publik, sepse nuk pati prej tyre asnjë protestë, ndaj edhe kryeministri Edi Rama ka injoruar ndonjë pakënaqësi të fundit prej tyre, në lidhje me kundërshtimet ndaj reformave që janë ndërmarrë prej qeverisë së tij gjatë dy viteve të fundit, duke thënë se reformat e nisura nuk kanë kthim dhe duke premtuar për kthimin e arsimit në një sektor konkurrues, ku do të jetë e përfshirë edhe sipërmarrja private.

SHKARKO APP