Inspektimet në biznese, Murrizi-Denajt: Kontrolle preferenciale
Në interpelancë me Ministren e Financave, Anila Denaj, deputeti Myslim Murrizi tha se qeveria nuk guxon të kryejë inspektime tek bizneset e mëdha që kryejnë edhe më shumë evazion fiskal.
”Bëni një politikë të mirë që shqiptarët të kenë mundësinë, që me pasurinë që kanë të kenë mundësi të kenë kushte lehtësuese për bizneset, që të mos jenë të seleksionuar bizneset që ai që nuk ju jep haraçe me trastë të ndëshkohet ndërsa pjesa tjetër të livadhisë. Këtyre që iu blejnë “sa frëngu pulën” dorë pas dore të gjithë këta që ulen në këtë radhën këtu. I kontrollon dot?”, deklaroi Murrizi.
Sipas Ministres së Financave, Denaj, kontrollet bëhen në bazë të analizës së riskut. ”Emrat që kontrollohen janë emrat e një administratë në nivel inspektimi në bazë të riskut, unë si ministër nuk hyj tek emrat. Çdo biznes që është në shkelje të ligjit dhe në fund procesi e çon drejt arrestimit, do arrestohet. Dhe në qoftë se kanë shkelje administrate tatimore, do të merret masa dhe ndaj tyre. Ju jeni të mirëpritur që të bëni çdo denoncim”.