Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor: Masa administrative ndaj 108 subjekteve
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, ëshhtë në terren me inspektime të vazhdueshme për verifikimin dhe respektimin e masave. Drejtoresha e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Vjollca Braho thotë se pjesa më e madhe e subjekteve i kanë zbatuar masat që duhet të merrnin.
“Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor duke filluar nga data 12 mars e deri më sot ka kryer 38940 monitorime dhe inspektime. Fokusin kryesor e kemi patur te të gjitha subjektet, të cilat ishin të përcaktuara që duhet të ishin të mbyllura si lokalet, kafet, baret apo restorantet. Sipas akteve normative të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave dhe vendimet e nxjerra nga Ministria e Shëndetësisë kemi inspektuar të gjithë këto subjekte. Pjesa më e madhe e tyre i kanë zbatuar masat, por njëkohësisht kanë qenë edhe 108 subjekte, ndaj të cilave janë marrë masa administrative, janë gjobitur për shkeljet që kanë patur gjatë aktivitetit të tyre”, tha për “Euronews”.
Ajo gjithashtu tregoi për masat e marra ndaj disa subjekteve që nuk kanë zbatuar rregullat. “Kanë qenë 12 kafene, bare dhe restorante, të cilat kanë qëndruar të hapura në momentin që duhet të ishin të mbyllura. Kemi marrë masa administrative për 16 fasoneri, të cilat nuk kanë zbatuar kushtet higjeno-sanitare si dhe masat mbrojtëse për të gjithë punonjësit e tyre, si maskat, dorezat apo dezinfektimi, largësia që duhet mbajtur mes punonjësve etj. Kemi marrë masa administrative dhe për 26 markete, 9 farmaci. Këto shifra i referohen marrjes së masave në të gjithë vendin”.