INSTAT: 12 mijë fëmijë më pak janë ulur në bankat e shkollës për vitin 2021-2022
12 mijë fëmijë dhe gjimnazistë më pak janë ulur në bankat e shkollës në shtator të vitit 2021. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në vitin shkollor 2021-2022, u regjistruan në arsimin zyrtar 577.869 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 2,0 %, krahasuar me vitin shkollor 2020-21. Prej tyre, 8393 fëmijë më pak në arsimin 9-vjeçar. Sipas niveleve arsimore, struktura e pjesëmarrjes në arsimin zyrtar është pothuajse e njëjtë, gjatë tre viteve të fundit shkollor/akademik.
Arsimi parauniversitar
Në vitin shkollor 2021-22, u regjistruan në arsimin parauniversitar 453.989 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 2,5 %, krahasuar me vitin shkollor 2020-21. Në arsimin parashkollor, gjatë këtij viti shkollor marrin pjesë gjithsej 72.384 fëmijë, 1,5 % më shumë krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Në arsimin 9-vjeçar, u regjistruan 278.138 nxënës, 55,4 % në arsimin fillor dhe 44,6 % në ciklin e lartë të arsimit bazë. Krahasuar me vitin shkollor 2020-21, marrin pjesë në arsimin 9-vjeçar 2,9 % më pak nxënës.
Në vitin shkollor 2021-22, 90,3 % e nxënësve të arsimit 9 vjeçar u regjistruan në institucionet e arsimit publik dhe 9,7 % në institucionet e arsimit privat. Ndër nxënësit e regjistruar në arsimin 9 vjeçar, vajzat përbëjnë 47,7 % të totalit.
Në vitin shkollor 2021-22, u regjistruan në arsimin e mesëm 103.467 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4,2 %, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Në vitin 2021-22, pjesën më të madhe të nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm e përbëjnë nxënësit e gjimnazit dhe të arsimit të mesëm social-kulturor prej 82,3 %. Ky proporcion ka mbetur pothuaj në të njëjtin nivel përgjatë tre viteve të fundit. Pjesa më e madhe e nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm ndjek arsimin në institucionet arsimore publike (86,6 %)
Në vitin shkollor 2021-22, numri i mësuesve në arsimin 9 vjeçar është 24.400, ndër të cilët 76,7 % janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin fillor publik është 16,1 dhe në atë privat është 14,6. Ndërsa në ciklin e lartë të arsimit 9 vjeçar, raporti nxënës për një mësues në publik është 8,5 dhe në atë privat 7,3. Numri i mësuesve në arsimin e mesëm është 8.658 prej të cilëve 69,2 % janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin e mesëm është 12,8 në arsimin publik dhe 8,3 në atë privat.
Arsimi i lartë
Në vitin akademik 2021-22, vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 123.880 studentë, duke shënuar një rritje prej 0,1 % krahasuar me 2020-21. Studentët që marrin pjesë në arsimin e lartë publik, përbëjnë 76,3 % të numrit total të studentëve. Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në vitin akademik 2021-22, marrin pjesë 73.493 studente femra, ose 59,3 % e numrit të përgjithshëm të studentëve në arsimin e lartë. Në programet bachelor, për të njëjtën periudhë, morën pjesë në arsimin e lartë 72.852 studentë duke shënuar një ulje prej 2,1 % krahasuar me 2020-21. Në vitin akademik 2021-22, ashtu si edhe vitin e kaluar akademik, studentët duket të preferojnë fushën e studimit “Biznes, administrim dhe ligj”, ku është përqendruar një e katërta e numrit gjithsej të studentëve. Ndërsa fusha më pak e preferuar është “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” ku janë të regjistruar vetëm 2,2 % e numrit gjithsej të studentëve.
Analizuar për secilën fushë studimi, krahasuar me vitin e kaluar akademik, vërehet ulje e numrit të studentëve që ndjekin arsimin e lartë në fushat “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” me 19,9 % dhe “Arte dhe shkenca humane” me 13,1 %. Nga ana tjetër, fushat “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” dhe “Shëndet dhe mirëqenie” paraqesin rritje të numrit të studentëve me përkatësisht 9,8 % dhe 4,4 %.