INSTAT: 18% e personave me arsim të lartë “nuk duan” të punojnë

Sistemi arsimor në vend, vit pas viti ka humbur lidhjet me tregun e punës, për shkak se diplomat e prodhuara nuk përputhen me profesionet që kërkojnë sektorët. Për pasojë, shumë njerëz që kanë përfunduar arsimin e lartë në vend mbeten jashtë tregut të punës dhe dekurajohen tërësisht për të gjetur një punë edhe pa lidhje me profesionin.

Sipas të dhënave nga INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2019, 18.1% e personave me arsim të lartë në moshë punë ishin inaktivë.

Të dhënat tregtojnë se së paku që nga viti 2016 e deri në vitin e kaluar, shkalla e “dembelizmit” te personat me arsim të lartë luhatet në intervalin 19-21%.
Zgjerimi i sektorëve të ekonomisë që nuk kërkojnë shumë kualifikim, të tillë si fasoni, call center, turizmi etj., po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë punësimin e të arsimuarve në vendin tonë.

Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar, numri i të papunëve ishte 173.207 persona, nga të cilët 346 ishin doktorantë. Kjo kategori në të cilën përfshihen edhe personat me PHD zuri 0.2% të totalit të të papunëve.

Të dhënat mbi papunësinë sipas nivelit arsimor janë një pasqyrë e qartë e mospërputhjes së sistemit arsimor në vend me tregun e punës. Diplomat e arsimit të lartë më së shumti janë për ekonomi, shkenca shoqërore dhe juridik, teksa nevojat për punë janë në bujqësi dhe turizëm.

Statistikat arsimore tregojnë tendencën alarmuese drejt profesioneve për të cilat tregu i punës nuk ka nevojë. Mbi 50% e studentëve vitin e kaluar zgjodhën të studiojnë për shkencat humanitare dhe artet, teksa numri i studentëve në degët që lidhen me bujqësinë dhe turizmin ra përkatësisht me 24 dhe 57% në krahasim me pesë vite më parë.
Më 2018, krahasuar me vitin e mëparshëm, pesha që zënë të papunët afatgjatë në papunësinë gjithsej është rritur me 2,6 pikë përqindje.

Gjatë vitit 2018, krahasuar me vitin e mëparshëm, pati një rënie të shkallës së papunësisë për personat me arsim 8-9-vjeçar me 2,4 pikë përqindje dhe për personat me arsim të mesëm me 1,2 pikë përqindje. /Monitor

SHKARKO APP