Instat: Më shumë lindje në Tiranë, në Berat vdekje

INSTAT publikoi sot të dhënat demografike për tremujorin e dytë të këtij viti. Gjatë tremujorit të dytë 2019, numri i lindjeve tejkaloi me 1.585 numrin e vdekjeve. Në tremujorin e dytë 2019, shtesa natyrore e popullsisë shënon vlerën më të lartë në Qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 969 numrin e vdekjeve. Në tremujorin e dytë 2019, shtesa natyrore regjistron vlerë negative në katër qarqe. Vlera më e ulët shënohet në Qarkun e Korçës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 93 numrin e lindjeve

Lindjet

Numri më i madh i lindjeve, për tremujorin e dytë 2019 regjistrohet në Qarkun e Tiranës, me 2.157 lindje, të cilat shënojnë rënie me 4,2%, në krahasim me tremujorin e dytë 2018.
Numri më i ulët i lindjeve, për tremujorin e dytë 2019 regjistrohet në Qarkun e Gjirokastrës, me 111 lindje, duke pasur një rënie prej 10,5%, në krahasim me tremujorin e dytë 2018. Nëntë nga 12 qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e dytë 2019, krahasuar me tremujorin e dytë 2018. Rëniet më të mëdha të lindjeve, gjatë kësaj periudhe e shënojnë Qarku i Shkodrës me 17,7% dhe ai i Fierit me 15,0%. Qarqet, të cilët kanë shënuar rritje të numrit të lindjeve janë Kukësi me 6,3%, Elbasani me 5,7% dhe Korça me 4,8%.

Vdekjet

Gjatë tremujorit të dytë 2019, numri më i ulët i vdekjeve regjistrohet në Qarkun e Kukësit, me 104 vdekje, me një rënie prej 23,0%, në krahasim me tremujorin e dytë 2018. Nëntë nga 12 qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të vdekjeve në tremujorit të dytë 2019, krahasuar me tremujorin e dytë 2018. Rënien më të madhe të vdekjeve, gjatë kësaj periudhe e shënon qarku i Kukësit me 23,0 % dhe Shkodrës me 16,3 %. Qarku i Korçës nuk ka pasur ndryshime krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të mëparshëm, ndërsa qarqet të cilat kanë shënuar rritje të numrit të vdekjeve janë Berati me 16,5% dhe Tirana me 3,9%.

SHKARKO APP