INSTAT nxjerr shifrat për tremujorin e tretë: Rritje 3.81% të PBB
Instituti i Statistikave INSTAT ka publikuar sot të dhënat për ecurinë e ekonomisë në tremujorin e tretë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e tretë të vitit 2019 vlerësohet me rritje prej 3,81 %, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2018.
Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët: Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +1,25 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +0,71 pikë përqindje, Industrisë, Energjisë dhe Uji me +0,67 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,63 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,29 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,28 pikë përqindje, aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit me +0,15 pikë përqindje. Negativisht kontribuoi aktiviteti i Artë, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me -0,63 pikë përqindje, Ndërtimi me -0,10 pikë përqindje dhe Informacioni dhe Komunikacioni me -0,02 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuuan pozitivisht me +0,57 pikë përqindje.
Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e tretë të vitit 2019, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2018, shfaqen si më poshtë:
Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me 0,87 %. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rritje me 5,85 %. Ndikimin kryesor në këtë rritje e ka dhënë Industria nxjerrëse e cila ka shënuar një rritje me 16,56 %. Aktiviteti i Ndërtimit pati rënie me 1,14 %, i ndikuar kryesisht nga kompanitë e lidhura me projektin TAP. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 6,69 %, i ndikuar kryesisht nga Tregtia me shumicë, e cila shënoi rritje me 6,25 %. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rënie prej 0,73 %. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 12,07 %. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 5,18 %. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rritje prej 9,49 %. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë pësoi rritje 6,44 %. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rënie me 24,02 %. Taksat Neto mbi produktet u rritën me 4,53 %.
Komponentët kryesorë të PBB–së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e tretë të vitit 2019, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2018, shfaqen si më poshtë:
Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 3,89 %.
Konsumi final i qeverisë u rrit me 2,12 %.
Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u ul me 1,91 %.
Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rriten me 10,06 %, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 3,60 %.