INSTAT publikon rritjen ekonomike për 2020, rënie e PBB me 3.31% në 3-mujorin e katërt

INSTAT ka publikuar këtë të mërkurë raportin për 3 mujorin e 4-të të 2020. Sipas këtij raporti ekonomia shqiptare ra me 3.31% në vitin pandemik 2020, shumë më e ulët se pritshmëritë e institucioneve ndërkombëtare prej mbi 7% dhe të vetë vlerësimeve të fundit të qeverisë prej -4.4%.

Përmirësimi ka ardhur nga tremujori i katërt, ku ekonomia u rrit me 2.99%. sektorët me ecurinë më të mirë ishin ndërtimi (i nxitur dhe nga procesi i rindërtimit), që ndikoi në 1.84% të rritjes dhe Administrim publik, Arsimi, Shëndetësia, që ka ndikuar në 1.01% të rritjes, apo gati një të tretën e rritjes.

Kontribut pozitiv në muajit tetor-dhjetor kanë dhënë degët: Ndërtimi me +1,84 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +1,01 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,52 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me +0,49 pikë përqindje dhe, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,36 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,27 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,24 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje;  aktivitete të tjera shërbimi me +0.08 pikë përqindje.

Praktikisht rënia e Prodhimit te Brendshëm Bruto ishte më e ulët se parashikimet e bëra. INSTAT e ka materializuar rënien në nivelin 3.31%, ndërsa Ministria e Financave priste rënie 4.4%

Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se shpenzimet për shëndetësinë u rritën ndjeshëm në tremujorin e tretë, në kulmin e pandemisë.

Sipas INSTAT, indeksi i vlerës për “Produkte farmaceutike, mjekësore dhe ortopedike, kozmetike”, u rrit me rreth 22% si në tetor ashtu dhe në nëntor, në krahasim me muajt përkatës të një viti më parë. Ndërsa në dhjetor, kur kulmoi pandemia e Covid-19, treguesi në vlerë u rrit me 26%.

Ndërkohë Shqipëria në rajon, ka ecurinë e dytë më të mirë pas Serbisë, e cila u tkurr me -1.5% në 2020-n, ndërsa për vendet e tjera, tkurrja ka qenë rreth -5%, apo më e lartë.

SHKARKO APP