INSTAT/ Transporti i mallrave, “fuqizohen” hekurudhat dhe portet, “dobësohen” rrugët ajrore

Volumi i transportit të mallrave të ngarkuara dhe të shkarkuara në porte në shkurt 2020 është rritur me afro 15%, krahasuar me shkurtin e vitit 2019. Sipas raportit më të fundit të INSTAT, në total janë transportuar 360 mijë ton mallra në porte.

Sipas INSTAT, edhe transporti hekurudhor ka qenë më “me peshë” në muajin e dytë të këtij viti. Në shkurt 2020, volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 3 milion ton për kilometër, konkretisht 5.7% më shumë se në shkurt 2019.

Në fakt, referuar të dhënave të INSTAT,  edhe periudha janar – shkurt 2020 ka rezultuar me një volum më të madh të mallrave të ngarkuara dhe të shkarkuara në porte, me një total 688.9 mijë ton, ose 12.5% më shumë se në periudhën janar – shkurt 2019.

I njëjti trend rritës është vënë re edhe për transportin hekurudhor në 2 muajt e parë të vitit 2020, ku volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë është 6 milionë ton për kilometër, duke u rritur me afro 17%, krahasuar me 2 mujorin e parë të vitit 2019.

Përsa i përket  tranportit ajror të mallrave, muaji shkurt ka rezultuar me rritje të transportit të mallrave, ku nga 167 ton në shkurt 2019, u bë 178.8 ton, duke ndjerë një rritje me 7.1%. Mirëpo, ndryshe nga transporti hekurudhor i mallrave apo ai detar, në peridhën janar – shkurt 2020, transporti ajror i mallrave ka ndjerë një rënie të lehtë me 2.5%.

Referuar INSTAT, në 2 mujorin e parë të vitit 2019, volumi i mallrave të transportuara në rrugë ajrore ka qenë 365 ton, ndërsa në janar – shkurt 2020, kjo vlerë ra në 355.9 ton./ SCAN

SHKARKO APP