Institucionet me nivelin më të lartë të ryshfetit? Shëndetësia dhe bashkitë
Sistemi shëndetësor është vendi ku shqiptarët paguajnë më shumë ryshfet. Pothuajse dy në tre familje (63%) që kanë pranuar se kanë paguar ryshfet gjatë 12 muajve të fundit, kanë paguar të paktën një herë ryshfet tek punonjësit e shëndetësisë.
Pas shëndetësisë vjen pushteti lokal, rreth një e treta e familjeve që kanë paguar ryshfet gjatë vitit të fundit, pranojnë se i kanë paguar të paktën një herë punonjësit bashkiakë.
Ryshfeti është relativisht i përhapur edhe në sistemin e rendit dhe të drejtësisë. Rreth 18% e familjeve që kanë paguar ryshfet në 12 muajt e fundit, i kanë paguar nën dorë punonjësit e policisë lokale apo të shtetit, dhe 16% i kanë paguar gjyqtarëve ose prokurorëve.
Në sondazh bie në sy përqindja relativisht e lartë e qytetarëve që kanë paguar në drejtoritë e transportit, ku kryhen shërbime si regjistrimi i makinave, kontrolli teknik, nxjerrja e lejeve të qarkullimit etj.—10 për qind e familjeve që kanë paguar ryshfet të paktën një herë tek punonjësit e transportit gjatë 12 muajve të fundit.
Institucione të tjera ku qytetarët paguajnë ryshfet në mënyrë te ngjashme janë hipotekat, institucionet arsimore si dhe kompanitë publike si OSHEE dhe UKT. Rezultatet janë të një vrojtimi për Euronews Albania, realizuar nga MRB dhe Data Centrum, në shkallë vendi në periudhën 20-29 tetor 2021.