Instruktorja shqiptare, që ka nxjerrë 30 mijë shoferë në 40 vjet

 

Shoferja Nadire Shahini është në timonin e makinës që nga viti 1975 i shekullit të kaluar. Do të mendojë ndokush se mbi 40 vite pra duke e rrotulluar timonin sa majtas djathas, duke futur marshet e luajtur këmbët mbi pedale.

Por jo! Ajo ka 40 vite duke i dhënë gaz profesionit, pasionit që nuk iu shua asnjëherë për t'u mësuar të tjerëve se si ngahet makina, pasi nga shofere ajo kaloi në instrukture, ku që para90 e deri më sot ka arritur një rekord të vlefshëm për Guinness: u ka mësuar drejtimin e automjetit 30 mijë kursantëve.

Edhe zyrtarisht, ajo njihet instruktorja e parë femër në historinë e Shkollës së Komunikacionit shqiptar që ka përgatitur shoferë që në ato vite. Kur mbaroi mbaroi shkollën e komunikacionit ishte mjaft e re, por duke parë pasionin që kishte për këtë profesion të cilin e kishte ëndërruar që në vitet e fëmijërisë dhe rezultatet në mësime, e emëruan instruktore të pregatitjes së shoferëve të rinj në Durrës.

Që nga ajo periudhë, ajo shprehet se numri i shoferëve të dalë nga mësimdhënia praktike dhe teorike në timon, i ka kaluar mbi 30 mijë.

Sipas saj, qyteti i Durrësit është në pararojë të vajzave që duan të bëhen shofere dhe rreth gjysma e tyre në këtë qytet janë pajisur me patenta pas trajnimit praktik që u ka bërë ajo. Koha ka evoluar mjaft.

Dikur në shkollën e komunikacionit shoferët i pregatisnin me mjete “Zis” që ishin kamionë 8 tonësh, ndërsa tashmë ajo i pregatit kursantët në praktikën mësimore me mjet Benz, të cilin në atë periudhë kushdo mund ta quante thjesht një ëndërr utopike. Nadirja kujton kohën ku si një vajzë e brishtë shkoi në shkollën e komunikacionit së bashku me rreth 64 vajza të reja të tjera nga i gjithe vendi. Në atë kohë kjo ishte një thyerje e madhe konceptesh pasi ishte një mundësi e pamundur deri në imagjinatë që të mendoheshin femrat shofere.

“Unë jo vetëm që u bëra shofere, por pas pak kohe në timon u bëra edhe instruktorja e parë në Shqipëri e shofereve te reja që nxorri më vonë Shkolla e Komunikacionit në Durrës. Më kujtohet se si në vitin 1975, kur udhëtonim në të gjithë Shqipërinë, na shikonin shtrembër, kishin opinione të këqija për femrën në timon. Qëllonte që edhe na ofendonin”, thotë Nadirja.

Instruktori Selim Zeqja kujton për të që ishte si një nga shoferet e reja të prespektivës, më të përkushtuara në mësimet teorike dhe praktike të atij atij viti, 1973.

“E kishte marrë profesionin me pasion dhe vullnet. Më kujtohet se si Nadirja ra në sy për përvetësimin e programit mësimor në mënyrë të shkëlqyer. Kur ajo dha provimin para komisionit të Ministrise së Punëve të Brendshme, që kishte kompetencat e dhënies së patentave në atë periudhë, ajo doli një nga nxënëset më të mira që e meritoi patentën, kundrejt të gjitha kërkesave shume strikte që kërkoheshin atëherë. Përveçse shofere e mirë, ajo mori edhe kategorinë e V-­të si mekanike. Ishte aftësuar për të njohur difektin, por edhe mundësisht për ta riparuar atë në rrugë kurdo që mund t`i ndodhte. Ajo kishte arritur që të eleminonte mbi 70% të defekteve të tilla. Edhe kur u përzgjodh instruktore për shoferet e reja që ërdhën më vonë në shkollën tonë, ajo u tregua një mjaft e aftë.”

Nadirja çdo ditë për 4 dekada me radhë ka qenë në timon. Dhe për historiografinë e Shkollës së Komunikacionit të vendit tonë mbetet si instruktorja e pare femër për kurse trajnimi shoferësh me kontribut 40-vjeçar.Dhe krenohet se deri me sot, asnjë nga kursantët apo kursantet e saj nuk ka pasur aksident serioz në timon. 

 

 

SHKARKO APP