Integrimi, Gjipali: Propozimi francez synon ta transferojë në kohë krizën
Një ditë më parë, Rama, Kovaçevski dhe Vuçiç kërcënuan me bojkot të samitit që mbahet nesër e pasnesër, që u lexua si një presion për shkak se nuk pritej vendimmarrje për hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin. Sot, Rama konfirmoi pjesëmarrjen kur u duk drita jeshile nga Sofja dhe tha se do të flasë edhe për Ballkanin e Hapur në Bruksel.
Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali thotë se propozimi francez synon ta transferojë këtë krizë dhe për ta futur problematikën e Bullgarisë gjatë negociatave.
“Propozimi francez synon ta transferojë në kohë këtë krizë dhe për ta futur problematikën e Bullgarisë gjatë negociatave. Megjithatë, unë nuk jam dakord me gjetjen e pretekstit pasi nuk ka nevojë Franca apo Gjermania të gjejnë pretekst nëpërmjet Bullgarisë. Franca e bëri para vetos bullgare, kur tha se ky proces nuk funksionon dhe e bllokoi. Nuk kanë merak të kamuflojnë kundërshtitë”, u shpreh Gjipali.