Integrimi i grave! Partneriteti më i ri mes Credins bank dhe UN Women!

Në ditën ndërkombëtare të gruas, 8 Mars, Credins bank, nënshkroi Parimet e Fuqizimit të Grave (WEPs), një listë parimesh që shërbejnë si udhërrëfyes për biznesin, për promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e gruas në vendin e punës, në treg dhe në komunitet. Kjo është një nismë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave (UN Women). Kjo marrëveshje u firmos nga përfaqësuesit respektiv të dy institucioneve z. Maltin Korkuti Drejtor i Përgjithshëm i Credins bank dhe z. Michele Ribotta, Përfaqësues i UN Women në Shqipëri.

Të dy përfaqësuesit e lartë shkëmbyen ide për të ndjekur strategji specifike për të rritur aksesin e grave dhe vajzave në mjetet financiare dhe ato digjitale, në mënyrë që të kenë më shumë mundësi për të mbështetur komunitetin e tyre.

Pabarazia gjinore është një fenomen i hershëm jo vetëm i shoqërisë shqiptare por edhe asaj botërore, që në mënyrë konsistente u ka mohuar disa të drejta legjitime shumë grave dhe vajzave siç janë: arsimimi, punësimi, përjashtimi ose vendimarrje e ulët politike, ekonomike, sociale etj.

Kjo nisëm është parë shumë pozitivisht nga shumë industri, një ndër to edhe ai bankar. Në orvatjen e krijimit të standardeve të reja ekonomiko-sociale në rang global, pas krizash të shumta për gjatë kësaj dekade, roli gruas është parë si një faktor i rëndësishëm që sjell jo vetëm progres por, edhe stabilitet në shumë sfera të jetës. Në këtë aspekt Credins bank, është etaloni dhe shembulli më i mirë i përkrahjes së politikave integruese të grave dhe vajzave në punë duke i konsideruar ato si faktorin kryesor te suksesit të saj. Kështu 76% e punonjësve të bankës e përbëjnë gratë dhe vajzat, nga të cilat 148 janë në pozicione drejtuese. Filozofia e Credins bank karakterizohet nga promovimi i vlerave personale dhe profesionale të çdo punonjësi. Përmes praktikave të trajnimeve me bazë të gjerë tematikash, jo vetëm profesionale por edhe psiko-sociale dhe shoqërore, Credins bank synon të rrisë efiçencën e saj duke u pozicionuar kështu në treg si një ndër bankat lider në respektimin e të drejtave të njeriut, mosdiskriminim dhe zhvillimit në tërësi të individit.

Eksperiencën e saj tashmë Credins bank, do të ketë mundësinë ta ndajë globalisht edhe ne platformën “Women’s Empowerment Principles” (Parimet e Fuqizimit të Grave), në një hapsirë të dedikuar ku do të informojë dhe jap ide mbi parimet si: ndërgjegjësimi i krijimit të lidershipit në nivel të lartë të korporatës për barazi gjinore, sigurimin e shëndetit, sigurisë dhe mirëqenies të të gjithë punonjësve, zhvillimin profesional për gratë dhe vajzat etj…

“Promovimi i barazisë gjinore nuk është vetëm një çështje e përgjegjësisë sociale në praktikat e brendshme të biznesit. Mbështetja e fuqizimit ekonomik të grave nëpërmjet aksesit në financim dhe asete prodhuese kontribuon drejtpërdrejt në pasurinë ekonomike të Shqipërisë. citoi z. Ribotta.

Nga ana tjetër z. Korkuti, nënvizoi se nënshkrimi i parimeve të fuqizimit të grave dhe vajzave e përforcon angazhimin e Credins bank edhe më shumë në integrimin e grave në vendin e punës, biznes dhe komunitet. “Ne kemi qenë gjithmonë promotor i zhvillimit të gruas, ku nëpërmjet paketave financiare të dedikuara, bonuseve specifike apo edhe trajnimeve të shumta, të krijojmë kushte dhe klimë të përshtatshme në integrimin e tyre”.

Si pjesë e rëndësishme e reformave të shumta të ndërmara nga OKB, UN Women u themelua në korrik të vitit 2010, për të krijuar politika specifike dhe ndërmarrë nisma ligjore dhe sociale, fokusi i të cilave është barazia gjinore, fuqizimi grave, si dhe integrimi i tyre në nivel global. Barazia gjinore nuk është vetëm një e drejtë themelore e njeriut, por një themel i domosdoshëm për një botë paqësore, të begatë dhe të qëndrueshme.

SHKARKO APP