Intelektualë apo mercenarë? Reagon Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë

 

Ka shkaktuar reagim te madh ne publik skema e ndryshimit te sheshit "Nene Tereza" nga nje projekt qe duket se do te vihet ne zbatim nga Kryeministri. Reagimin me qytetar dhe kurajoz e ka bere sot web i Shkullakut dhe Bushatit. Po botojme reagimin e tyre duke shtuar se jemi solidare me reagimin e tyre, pasi kerkon nje debat te madh publik kjo qe kerkon Rama, bile me sakte duhet Referendum nga banoret e Bashkise se Tiranes.

Tirana po rrezikohet sërish nga vullneti i njëshit, ose për tu shndërruar, siç thoshte dikur Fatos Lubonja në TI-RAMA, pra në një qytet që transformohet sipas dëshirave të një piktori të pafat që do të lërë emër duke shenjuar gjurmët e tij në dëm të trashigimisë kulturore të qytetit. Sot kryeministri Rama ka paraqitur një plan të tmerrshëm i cili i ambalazhuar me emrin joshës të portës hyrëse të kodrave të liqenit, mëton të transformojë katërcipërisht sheshin përpara Universitetit. Konkursi i shpallur dhe projektet e paraqitura tashmë janë ide më shumë se të guximshme që shuajnë memorien historike dhe shkatërrojnë imazhin e një sheshi që mban vulën tipike të arkitekturës fashiste italiane. A mund të bëhet kaq papritmas dhe pa një debat publik një ndërhyrje e tillë? A mund ti nënshtrohet ajo tekave të një njeriu të vetëm? Këto pyetje bëhen edhe më të rënda po ti shtosh atyre edhe faktin se gjithçka u përgatit në fshehtësi duke lënë të kuptosh se prapa fshihen interesa të mëdha. Nëse Rama do të qe i bindur që kjo qe një nismë e pranueshme nga publiku ai do ta kishte hedhur idenë e tij në fushatë, por gjatë saj nuk u fol asnjë fjalë. Dhe tani, vetëm pak ditë pasi zgjedhjet kanë mbaruar, shfaqen projektet që nuk janë bërë sot, por qëndronin të gatshme që kur Erion Veliaj përgjërohej për mbrojtjen e Tiranës. Pyetja që shtrohet pas kësaj është? Mirë kjo mund të jetë një tekë qeveritarësh, po ku janë zërat e "intelektualëve të pavarur" që kanë buçitur aq fort nën ombrellën e forumit të trashigimisë kulturore? Ku janë ata që kanë ngritur kauza dhe kanë filluar peticione që nga historia e piramidës e deri tek prekja e çdo guri të lashtë? Po bëhen disa raste që ata heshtin. Si në ndërtimin e kullës në qendër të Korçes. Si në rastin e punimeve që po prekin një tjetër kryevepër të arkitekturës italiane të viteve 30, godinën e kryeministrisë. Me këmbënguljen e Ramës kryeministrisë sot po i preket jo vetëm holli i brendëshëm, por edhe fasada e jashme ku po ngrihet një strehë mbi derë. Pyetja që shtrohet është: me miratimin e kujt bëhen këto ndryshime, apo thjeshtë me delirin e njishit që vendos për gjithçka? Dhe më tej akoma: pse ka rënë squk forumi i Trashigimisë Kulturore. Pse nuk flasin ata që përgjëroheshin për traditën, apo ata sillen si intelektualë kur në pushtet është Berisha dhe si mercenarë kur atij ja zë vendin Rama?

 

 

Forumi për Mbrotjen e Trashëgimisë ka reaguar në lidhje me konkursin e parkut të liqenit. Nëpërmjet një deklarate për mediat ky forum ka shpjeguar disa arsye që sipas tyre e bëjnë këtë konkurs jo të njohur nga qytetarët.

Deklarata e plotë e Forumit

Forumi për Mbrojtjen e Trashegimise Kulturore, sot eshte gjendur tërësisht papritur përballë nje konkursi, i cili ishte njohur edhe ndërkombetarisht por për fat të keq jo nga qytetaret e Tiranës.

– Organizimi i një konkursi ndërkombëtar, pikërisht në ditet e kalimit të pushteteve nga një kryetar tek tjetri, është i pakuptimtë, i nxituar, i dyshimtë dhe, në një farë mënyre një pabesi ndaj Kryetarit dhe qytetit.

– Pastrimi dhe restaurimi i Ansamblit Monumental të Sheshit Nënë Tereza, me rastin e vizitës së Papës, i ktheu atij ansambli të mrekullueshem dhe unikal gjithë madhështinë e vet të harruar. Ky Ansambël Monumental është i vetmi i realizuar tërësisht dhe, si i tillë, çdo ndërhyrje brenda tij vetëm do ta përdhoste dhe deformonte.

Tashmë në mendimin dhe zemrën e çdo tiranasi Parku i Liqenit është i shenjtë, dhe Ansambli i sheshit nënë Tereza është i shenjtë.

– Prishja e godinave me dhe pa leje në krah të Korpusit të Universitetit, u bë me argumentin ligjor se ato dëmtonin tërësine e Ansamblit Monumental dhe zinin hapësira në Parkun e Tiranës. Eshtë absurde dhe kundërthënëse që tani godinat dykatëshe të këmbehen me godina të tjera 6 apo 7 apo 8 katëshe.

– Tirana ka nevojë ulëritëse për të shpëtuar çdo centimetër gjelbërim egzistues. Në këto kushte, betonimi i një cope të Parkut rreth 1 hektar, me ndërtime të tjera është kundër çdo llogjike urbane, njerëzore dhe mjedisore.

– Eshtë shumë e dyshimtë nëse ndërtimet që aty parashikohen do të jenë publike apo private. Eksperienca e dy dekadave të fundit në këto çështje është tërësisht e hidhur.

Por edhe sikur të flitet për ndërtime me funksion publik, ato jo domosdoshmërisht duhen ndërtuar duke sakrifikuar hapësira të gjelbra dhe që kanë qenë jetë e mot Park. Ndërtimet bëhen edhe duke ricikluar godina publike egzistuese, edhe duke shpronësuar godina private, edhe duke u orientuar në zona tashme në zhvillim.

– Forumi në ditët në vijim do të kërkojë mbështetjen qytetare dhe civile të Tiranës, duke kërkuar mobilizim deri në idenë e një referendumi, që fillon dhe mbaron me një pyetje të vetme:

A doni të ndërtohet në Parkun e qytetit, apo doni që ai të mbetet i gjelbër?

SHKARKO APP