Interforca italiane interesohet në Tiranë, për Dritan Zaganin

Skuadra speciale e policisë italiane e njohur si INTERFORCA kërkon informacione në Prokurorinë për Krime të Rënda për dosjen e ish-shefit të antidrogës së Fierit Dritan Zagani.

Me anë të dy shkresave të ndryshme, INTERFORCA italiane kërkon të dhëna për dosjen hetimore ndaj Zaganit, vetëm pak ditë pas publikimit të rrëfimit të tij në media.

Në shkresat zyrtare, thuhet se kërkohet informacion që nga nisja e hetimit për rrjetin e trafikut të drogës ku është arrestuar edhe ish-shefi i antidrogës. Materialet dhe provat që implikojnë atë në rrjetin e trafikut të drogës, qëndrimin e tij gjatë fazës hetimore përballë prokurorëve të çështjes, akuzat zyrtare dhe gjendjen faktike të procesit gjyqësor në ngarkim të tij.

Nuk jepen detaje për arsyen e këtyre kërkesave, por mendohet se Dritan Zagani ndodhet në Itali, ku edhe ka aplikuar për procedurat e azilit politik.

Gjithashtu, hidhen dyshime se pala italiane po kryen verifikimin e të deklarimeve të tija, pasi në momentin e arrestimit në Shqipëri organi i procedurës akuzoi Zaganin për dhënien e informacionit për trafikun e drogës palës italiane dhe jo institucionit ku punonte.

Kjo alibi ende nuk është zyrtarizuar, pasi në përfundim të hetimeve Dritan Zagani akuzohet për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “mos kallëzimit të krimit”.

Sipas akuzës, ai nuk informonte eprorët e tij në polici për rrjetet e trafikut të drogës. Pretendim ky që është kundërshtuar me forcë nga vetë Zagani, i cili edhe në intervistën e dhënë nga arratia akuzoj efektivë të policisë dhe drejtues të saj për shitjen e informacionit të tij tek trafikantët e drogës.

SHKARKO APP